Lajme

Osmani për gazetën kroate: Nëse serbët kalojnë kufirin e Kosovës përballen me ushtrinë amerikane

Vjosa Osmani, presidente e Kosovës

“Nëse serbët kalojnë kufirin, ata do të përshëndeten nga ushtria amerikane”.

Kështu, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për gazetën kroate Express.

Osmani, ka folur edhe për diskutimet që kishte me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në samitin e Bërdo-Brijunit

“jam shumë e kujdesshme për të mos përgjithësuar se kush e ka kryer krimin dhe unë e komunikoj atë qartë. Sidoqoftë, nuk më duket se Serbia pendohet për atë pjesë të së kaluarës të krijuar nga Sllobodan Millosheviç”, tha Osmani për median kroate.

E para shtetit të Kosovës, theksoi për dialogun se duhet të ketë njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Por, përmendi edhe të pagjeturit, trupat e të cilave nuk dihet ku janë tash e 20 vite.

“Arritja e paqes së qëndrueshme përmes drejtësisë lidhet gjithashtu me problemet e të drejtave të pakicave dhe ndriçimin mbi fatin e personave të zhdukur. Këto ishin temat e takimit fillestar, prezantues”, tregoi Osmani për takimin e Vuçiqit me Albin Kurtin.

Presidentja është pyetur edhe për numrin e madh të të rinjve të papunë në Kosovë.

“Unë shoh një të ardhme shumë të ndritur për Kosovën. Nuk mund të mos mendoj kështu kur takoj mendjet e reja të shkëlqyera të Kosovës. Sidomos fushat e teknologjisë e të IT”, tha Osmani.

Intervista është përmbyllur rreth vizitës së Osmanit në Turqi dhe takimit që kishte me presidentin turk, Recep Taip Erdogan.

Shefja e shtetit, theksoi se Turqia e ka ndihmuar dhe njohur Kosovën ndër të parët.

“Turqia ishte një nga vendet e para që na ndihmoi gjatë një pandemie dhe është e qartë që ne e ushqejmë atë kontakt”, deklaroi Osmani. /