Lajme

Osmani nga Deçani: Sa më parë të dihet shkaku i helmimit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot Komunën e Deçanit, ku që nga dita e shtuna deri më sot mbi një mijë e 500 qytetarë kanë kërkuar trajtim mjekësor për shkak të helmimit, shkruan SHQIP.

Ajo ka ftuar institucionet e drejtësisë dhe hetuesisë që të trajtojnë këtë rast me urgjencë dhe të dihet shkaku i helmimit.

“Edhe sot u rikonfirmua që qeveria të marrë të gjitha masat, në mënyrë që kjo qendër të furnizohet me barna të mjaftueshme  për ta trajtuar këtë gjendje të qytetarëve tanë”, ka deklaruar ajo.

Me këtë rast, Osmani ka thënë se nga rezulltatet që kanë pranuar ka pasur edhe qytetarë që janë helmuar dhe nuk kanë qenë të furnizuar nga burimi i njëjtë i ujit.

“Ka edhe qytetarë që vinë nga fshatrat tjerë e  që s‘janë furnizuar nga ai burim i ujit. Përveç analizave kimike ne po i presim edhe ato biologjike që presim që brenda disa orëve të përfundojnë. Pres që institucionet e drejtësisë dhe ato të hetuesisë ta trajtojë rastin me urgjencë dhe sa më parë që të jetë e mundur ta dimë shkakun e helmimit“, ka thënë ajo.

Bashkë me Osmanin, edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka vizituar pacientët në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan.

Me këtë rast ajo ka kërkuar po ashtu që të gjendet burimi i këtij infeksion.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se të gjithë qytetarët që kanë nevojë të ujit të pijshëm do t’i dal në ndihmë.

“Jemi duke u munduar që këta qytetar të furnizohen me ujë të pijes në çfarëdo rrethane më vjenë mirë sepse çdo kryetar komune dhe të gjitha institucione po ashtu edhe forcat e sigurisë janë shprehur të gatshëm që t’i dalin në ndihmë të gjithë qytetarëve që kanë nevojë për ujë të pijes”.

Deri më tani, bazuar në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Pejë, dy persona kanë vdekur nga kjo situatë, ndërsa mbi 20 të tjerë po trajtohen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan.

Të martën e 13 korrikut është shpallur gjendje emergjente në këtë komunë nga kryetari Bashkim Ramosaj, vendim ky i cili është marrë në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse të Statutit të Komunës së Deçanit./SHQIP.com