Lajme

Osmani në takim me Macron dhe Schloz: Kosova e interesuar të përmbyll dialogun me njohje të ndërsjellë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është takuar me presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë Olaf Schloz gjatë vizitës në Pragë në kuadër të samitit të parë të Komunitetit Politik Evropian.

Siç ka njoftuar zyra e presidentes, në këtë takim për dialogun Kosovë-Serbi, Osmani ka thënë se Kosova është palë konstruktive si dhe e interesuar në përmbylljen e dialogut.

“Duke folur për procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të mbetet palë konstruktive në këtë proces dhe ka falënderuar Francën dhe Gjermaninë për përpjekjen e tyre për ta intensifikuar procesin e dialogut. Kosova është e interesuar në përmbylljen e dialogut sa më shpejt, me njohje të ndërsjellë, ruajtjen e integritetit territorial, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZP-së.

Po ashtu, Osmani në këtë takim ka shprehur mirënjohje ndaj Francës dhe Gjermanisë për përkrahjen e treguar ndaj Kosovës.

“Presidentja Osmani: Mirënjohës presidentit Macron dhe kancelarit Scholz për takimin e sotëm përmbajtësor, për përkrahjen e tyre për Kosovën dhe angazhimin e tyre për paqe dhe stabilitet në rajonin tonë”, thuhet në njoftimin e ZP-së.

Osmani ka falënderuar Macronin për angazhimin në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Presidentja Osmani ka falënderuar Francën dhe Gjermaninë për angazhimin e tyre për liberalizim të vizave për Kosovën, duke përmendur rëndësinë vendimtare që ky proces të përfundojë gjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka rikonfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera me Francën dhe Gjermaninë, si aleatë të fuqishëm të Kosovës në kontinentin evropian”.

Në këtë takim në mes Osmanit, Macronit dhe Schloz u potencua nevoja e avancimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe shteteve tjera kështu, duke u kërkuar edhe mbështetja për Kosovën në anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe strukturat e tjera euroatlantike.

/Shqip.com