Osmani: Masa e reciprocitetit hiqet kur Serbia të veprojë njëjtë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, derisa mori pjesë në një diskutim të organizuar nga Universiteti i Kolumbisë, u deklarua për masën e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, vendim ky që u mor më 20 shtator nga Qeveria e Kosovës, njofton Shqip.com.
Ajo thotë se kjo masë do të largohet në momentin kur pala serbe të veprojë njëjtë.
“Serbia e ka bërë këtë për dhjetë vjet dhe askush nuk ka ngritur zërin kundër saj. Pra, padyshim që ne do t’i heqim menjëherë këto masa në momentin që edhe Serbia do ta bëjë këtë”, tha ajo.
Teksa foli për marrëdhëniet ndërkombëtare, Osmani theksoi se një nga parimet kryesore është reciprociteti.
“Reciprociteti në tregti ose në masa të tjera është një nga parimet më të shëndetshme të marrëdhënieve ndërkombëtare, veçanërisht nëse keni pritur për dhjetë vjet që pjesa tjetër të heqë barrierat ose bllokimin dhe koston e problemit për çdo qytetar që shkon nga Kosova në Serbi”, ka thënë ajo.
Madje, e para shtetit tregoi edhe përvojën e saj të heqjes së tabelave, kur po udhëtonte për në Preshevë.
“Bashkëshorti vjen nga Lugina e Preshevës, kur e vizitonte familjen tonë, para se të bëhesha presidente, ne duhej të largonim tabelat e regjistrimit, dhe pastaj policia serbe do të sjellte tabela tjera me shkronja serbe, që shkruanin se ishin tabela provuese. Pastaj kur i jepja letërnjoftimin, ata ma lëshonin një letër, pra në mënyrë praktike dëshironin të zhveshnin nga identiteti sapo hyje në vendin e tyre. Dhe natyrisht duhej të paguaje për të hyrë”, tha ajo.
“Kjo ishte shumë e vështirë, edhe në aspetin teknik, radhët e pritjes ishin të gjata, vështirësonte edhe aspektin ekonomik, sepse sipas organizatave ndërkombëtare një kamioni për të shkuar nga Kosova në Serbi i merr 33 herë kohë më shumë sesa një kamioni për të ardhur nga Serbia në Kosovë”, vazhdoi Osmani. /Shqip.com