Osmani: Ligji i ri i Punës të miratohet sa më parë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim përfaqësuese të Forumit Ekonomik të Grave, udhëhequr nga Saxhide Mustafa.
Në njoftimin e presidencës thuhet se në takim u diskutua mbi nevojën urgjente për miratimin e Ligjit të ri të Punës në Kuvendin e Kosovës.
Presidentja Osmani potencoi se integrimi i plotë dhe i barabartë i grave dhe burrave në ekonomi është strategji afatgjate për të stimuluar rritjen ekonomike dhe pjesëmarrjen aktive të grave në ekonomi.
“Në këtë frymë, Presidentja theksoi se reduktimi i hendekut gjinor në tregun e punës jo vetëm që rrit mirëqenien sociale dhe ekonomike të grave, por edhe kontribuon në mirëqenien e përgjithshme të të porsalindurve dhe të familjeve. Prandaj është e domosdoshme që ligji i ri i punës që i adreson këto nevoja të jetë në përputhje me direktivat e BE-së dhe të procedohet sa më parë në Kuvend”, thuhet në njoftim.
Në veçanti, u diskutua rëndësia e politikave lidhur me pushimin prindëror, si masë e rëndësishme që duhet të rregullohet me këtë ligj.
“Presidentja Osmani dhe përfaqësueset e Forumit Ekonomik të Grave diskutuan modele të mundshme të pushimit prindëror, të cilat janë propozuar nga organizatat e shoqërisë civile, e të cilat mundësojnë dhe inkurajojnë pjesëmarrjen aktive të grave në ekonomi, duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare”.
“Presidentja Osmani dhe Forumi Ekonomik i Grave diskutuan edhe për rëndësinë e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor si masë e rëndësishme si nga institucionet qendrore, ashtu edhe nga ato lokale. Në këtë takim u bë thirrje për angazhim më të madh nga të gjitha institucionet përkatëse për të zhvilluar dhe zbatuar politika të drejta dhe efikase që adresojnë sfidat specifike me të cilat përballen gratë në tregun e punës”.
/Shqip.com