Osmani: Kosova qëndron fort në aleancë me SHBA-të
Presidentja Vjosa Osmani në adresimin e saj para deputetëve në përvjetorin e 16-të të shtetësisë ka theksuar se 17 shkurti është e arritura jonë më e madhe historike.
“…është reflektim i idealit tonë, i gjyshërve e stërgjyshërve tanë, i brezave të tërë ndër shekuj për të ndërtuar shtetin e lirë e të pavarur, në të cilin liritë e të drejtat njerëzore, paqja e harmonia janë thelbësore për suksesin tonë. Republika jonë po konsolidohet çdo ditë, duke i nderuar qytetarët e vet dhe emrin e vet në botë”, ka theksuar Osmani.
Ajo tutje theksoi se për qytetarët e Kosovës të kesh shtet ka qenë gjithmonë sakrificë e ideal.
“Ky ideal i rrëmbeu zemrat, e shumë herë edhe jetët e brezave të tërë, të etërve tanë, të nënave, motrave e vëllezërve, gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë, të cilët dhanë shumë për këtë tokë dhe e mbajtën ndezur flakadanin e lirisë deri te brezi ynë. E ne do ta shpjermë tutje sepse liria nënkupton për ne vetë karakterin e ekzistencës njerëzore”, ka nënvizuar Osmani.
17 Shkurti po aq sa është datë unike për datën e saj historike, është po kaq shumë e veçantë në rrafshin emocional, tha presidentja Osmani, duke u shquar si dita që na përbashkon rreth një kauze – dashurisë për Republikën dhe përkushtimit për ta ngritur lart emrin e saj.
“Rrugëtimi ynë i shënuar nga sfidat dhe triumfet është dëshmi e qëndrueshmërisë së shpirtit njerëzor dhe është një histori që vazhdon të zhvillohet çdo ditë që kalon. Përkundër vështirësive shekullore, ne rezistuam dhe e mbajtën kokën me shumë krenari e vendosmëri lart, jo vetëm duke u shpërfaqur si shembull i shtetndërtimit, i rrënjosur në vlerat demokratike, por edhe duke u zotuar se çdo ditë e re do të na gjejë më mirë se dita paraprake. Kosova sovrane është dëshmi e asaj që mund të arrihet kur vullneti i pamposhtur i qytetarëve bashkohet rreth një qëllimi të përbashkët. Prandaj, le ti gëzohemi lumturisë që sjell fakti se ne jemi popull i lirë mes popujsh të lirë”, ka shtuar e para e shtetit.
Ajo tutje theksoi se sot i përulemi së pari brezave që iu dedikuan lirisë. “Le ta bashkojmë fuqinë tonë në kujtim të etërve themelues, të grave e burrave, të bijve e bijave të kësaj toke të cilët sakrifikuan gjithçka, që nuk u dorëzuan që pavarësisht se historia u soll pabesisht me ta”, ka nënvizuar Osmani.
/Shqip.com