Lajme

Osmani: Hegjemonia ruse do të dështoj sërish, liria e demokracia do të triumfojnë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas sulmeve ruse në Ukrainë. Ajo ka thënë se imazhet e tmerrshme nga Ukraina përkujtojnë sërish rëndësinë e aleancave mes popujve demokratik, si e vetmja mënyrë për t’i dalë ballë hegjemonisë së Rusisë dhe të satelitëve të saj.

Osmani tutje shprehu solidaritetin e thellë me popullin ukrainas.

“Lufta në Ukrainë, si rezultat i akteve të agresionit dhe sulmeve të paprovokuara të Rusisë, na e përkujton se sa e vlefshme është liria. Në ditë si kjo, kur shohim horrorin e luftës me të cilin përballet ky shtet, qëndrojmë me popullin ukrainas dhe shprehim solidaritetin tonë të thellë. Imazhet e tmerrshme nga Ukraina na përkujtojnë sërish rëndësinë e aleancave mes popujve demokratik, si e vetmja mënyrë për t’i dalë ballë hegjemonisë së Rusisë dhe të satelitëve të saj. Prandaj, jemi në koordinim të vazhdueshëm me aleatët tanë, për të mos lejuar destabilizimin e rajonit tonë.

Hegjemonia ruse do të dështojë sërish. Liria dhe demokracia do të triumfojnë!”, ka shkruar ajo në rrjetin social Facebook.