Lajme

Osmani: Gjashtë mijë shqiptarëve në Serbi iu mohua e drejta për të votuar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Gjashtë mijë shqiptarëve në Serbi i është mohuar e drejta e tyre e votës.

Kështu ka bërë të ditur, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ku ka thënë se kjo ka ndodh për shkak të fushatës së qëllimshme pasivizuese të Serbisë.

“Sipas raportimeve, 6000 shqiptarëve në Serbi iu mohua e drejta e tyre themelore për të votuar për shkak të fushatës së qëllimshme pasivizuese të Serbisë për spastrim etnik përmes mjeteve administrative. Komuniteti ndërkombëtar duhet të dënojë fytyrën e vërtetë të autoritarizmit të Serbisë”, ka shkruar Osmani.

Në Serbi gjatë ditës së diele janë mbajtur zgjedhjet presidenciale, zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale në Beograd. Janë rreth 6 milionë e gjysmë të serbëve që do të kenë mundësi të votojnë.

Në këto zgjedhje të Serbisë, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit garojnë me dy lista dhe pretendojnë të kenë tre deri në katër deputetë.

Serbët nga Kosova kanë votuar në Tutin, Rashkë, Kurshumli e Vranjë.