Lajme

Osmani dhe Gërvalla takohen me Stoltenbergun: Anëtarësimi në NATO dhe BE parakusht për sigurimin e paqes në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, gjatë vizitës në New York, kanë takuar sekretarin e përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg.

Sipas njoftimit nga Presidenca, thuhet se Osmani në takim ka folur rreth anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

“Anëtarësimi do të kontribuojë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe e cilësoi anëtarësimin në këtë organizatë, prioritet shtetëror të Kosovës, si një parakusht për sigurimin e paqes në rajon, ashtu edhe për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave të përbashkëta”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, Osmani ka theksuar se këtij hapi duhet t`i paraprijë përfshirja e Kosovës në Partneritetin për Paqe.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Në këtë kontekst, e përmendi faktin se Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila po zhvillohet në përputhje me standardet e NATO-s, do t’ia mundësojë Kosovës një rol aktiv në kuadër të sigurisë rajonale dhe globale.

Sa i përket agresionit të Rusisë në Ukrainë, Osmani ka shtuar se Kosova ka dënuar luftën e paprovokuar të Putinit kundër Ukrainës dhe se është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së./Shqip.com