Lajme

Osmani bisedon me shefin e KQZ-së për përgatitjet për datën e zgjedhjeve të reja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka biseduar të martën me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, në lidhje me përgatitjet dhe konsultimet që po bëhen për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta parlamentare, njoftoi Presidenca.

“Kryesuesi i KQZ-së, e njoftoi Presidenten Osmani lidhur me çështjet që sipas KQZ-së është me rëndësi të merren parasysh gjatë vlerësimeve rreth caktimit të datës së zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim u diskutua gjithashtu edhe për votimin nga mërgata dhe hapat që duhet të ndërmerren në mënyrë që “kjo e drejtë të realizohet siç është përcaktuar në ligjin e ri”, sipas njoftimit.

“Presidentja potencoi rëndësinë që në ditën e zgjedhjeve të bëhen organizimet e nevojshme për qasje të lehtë edhe për personat me nevoja të veçanta”, tha Presidenca.

/Shqip.com