Lajme

Osmani akuzon rëndë BE-në, përmend mosrespektimin e marrëveshjeve nga Serbia e mos heqjen e masave ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se negociatat me Serbinë kanë ngecur sepse shtetet nuk po trajtohen barabartë.

Ajo ka përmendur zotimet e papërmbushura nga Serbia të dala nga procesi i dialogut, teksa ka theksuar se Kosova ka përmbushur të gjitha detyrat e veta.

“Nëse shohim listën e zotimeve që Serbia nuk i ka përmbushur… është shumë shumë e gjatë, do të na duhej deri nesër që ta lexonim. Është e lehtë ta konfirmoni, mos besoni interpretimin tim. Zgjidhni cilëndo marrëveshje, qoftë marrëveshja për lëvizje të lirë, marrëveshjen për njohjen e diplomave, njohjen e dokumenteve të tjera e të tjera, asnjëra nuk janë zbatuar, as ajo që obligon Serbinë që t’i largojë strukturat paralele ilegale nga Kosova, por fillimisht në veri. Por çfarë ka ndodhur është se në vend të heqjes së tyre, Serbia i ka forcuar vazhdimisht në atë masë sa këto struktura ilegale janë kthyer në banda mafie dhe janë kthyer në rrezikun më të madh për serbët e veriut”, ka thënë ajo nga samiti i sigurisë në Pragë.

Osmani ka theksuar se pavarësisht veprimeve të Serbisë dhe mospërmbushjes së zotimeve, Kosova po mbahet nën masa.

“Pavarësisht të gjithë kësaj dhe listës së moszbatimit nga Serbia, gjeni cila palë është nën masa të BE. Është pala që është 100% në linjë me BE-në, pala që asnjëherë nuk merr armë nga Rusia, Kina apo Irani, është pala që 95% e popullit të së cilës janë në favor të BE-së, pala që kurrë nuk ka kryer akt agresioni ndaj fqinjëve të saj, që nuk destabilizon fqinjët, që nuk përdor rusët MIG të fluturojë mbi fqinjët e saj, kjo është pala që është nën masa. Është Kosova. Prandaj tavolina është përmbys. Kur nuk ke barazi qysh në themel të çfarëdo procesi negociues, askush nuk duhet të ëndërrojë për rezultate të prekshme që edhe mund të zbatohen në terren”, ka thënë ajo.

Tutje, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Serbia nuk i ka zbatuar marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Madje ajo tha se nuk e ka zbatuar as atë që ajo e konsideron si më të rëndësishmen, për shpërbërjen e strukturave ilegale paralele në Kosovë.

Në vend që t’i shpërbënte ato struktura, presidentja Osmani në diskutimin në Forumin GLOBSEC 2024, tha se presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq i ka forcuar ato duke i shndërruar në “banda mafioze”.

“Asnjë prej marrëveshjeve nuk është zbatuar, veçanërisht ajo e rëndësishmja e vitit 2013, e cila e obligon Serbinë që t’i shpërbëjë të gjitha strukturat e saj ilegale paralele nëpër Kosovë, në veçanti në veri. Ajo që ka ndodhur këto 10 vjet, është që në vend që t’i shpërbëjë ato struktura, Serbia vazhdimisht i ka forcuar ato deri në atë pikë sa që këto struktura ilegale janë kthyer në banda mafioze dhe janë kthyer po ashtu në rrezikun më të madh për komunitetin serb që jeton në veri të Kosovës. Këto struktura ilegale janë grupe kriminale që paguhen, emërohen dhe mbështeten politikisht nga Serbia, dhe tani pasi që kryen një akt agresioni kundër Kosovës në shtator, u fshehën nga Serbia në Serbi në mënyrë që të mos përballen me drejtësinë për aktin e agresionit”, tha Osmani, duke iu referuar sulmit nga grupi i Millan Radoiçiqit në Banjskë 24 shtatorin e vitit të kaluar.

Ajo tha se ata dyshohen edhe për krime tjera, si “vrasja e politikanëve serbë, djegia e shtëpive dhe veturave të serbëve në veri, si kërcënimin e fëmijëve në kopshte… Pra, ata që po vuajnë më së shumti nga këto banda mafioze, të paguara dhe mbështetura nga Vuçiqi në Serbi, janë në të vërtetë serbët në Kosovë”.

Osmani tha se të gjitha këto kanë ndodhur në 10 vitet e fundit, ndërsa kritikoi BE-në që po i vë masa Kosovës, e jo Serbisë.

“Pavarësisht gjithë këtyre, qëlloni se cila është pala nën masa të BE-së? Është pala e cila është 100 për qind e harmonizuar me BE-në në çdo politikë vendimmarrëse të jashtme e të sigurisë, është palë që kurrë nuk blen armë nga Rusia, Kina apo Irani, është palë ku 90 për qind e popullit janë në favor të BE-së, është pala që asnjëherë nuk ka kryer akt agresioni kundër fqinjëve, që nuk destabilizon fqinjët, nuk organizon grusht-shtete kundër fqinjëve, që nuk përdor MIG29 rusë që të fluturojë mbi fqinjët e vetë. Kjo është pala që është nën masa – Kosova. Prandaj, tavolina është e rrëzuar”, potencoi Osmani në diskutimin në forumin GLOBSEC në Pragë.

/Shqip.com