Sport Ndërkombëtar

Ora në dorën e tij “zbulon” skuadrën e re të Ronaldos

Epoka e dytë e Cristiano Ronaldos te Manchester United mori fund në mënyrën më të padëshiruar.

Në deklaratën zyrtare të skuadrës angleze, u bë e ditur se futbollistit portugez i është ndërprerë reciprokisht kontrata.

“Cristiano Ronaldo u largua nga Manchester United pas një marrëveshjeje reciproke. Klubi e falënderon atë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm duke shënuar 145 gola në 346 ndeshje në dy mandatet e tij në ‘Old Trafford’ dhe i uron atij dhe familjes së tij suksese në të ardhmen”, thuhej në komunikatë.

Ndërsa, Cristiano Ronaldo i cili për momentin është me Kombëtaren e Portugalisë në Kupën e Botës 2022 në Katar, pritet të nënshkruajë me ekipin e tij të ri në muajt e ardhshëm.

E ardhmja e CR7 shumë shpejt u bë temë e nxehtë në llogarinë e tij në Instagram me 501 milionë ndjekës.

Pas marrëveshjes së një sponsorizimi, futbollisti portugez, i cili ndau me ndjekësit e tij foton e bërë me orën e një kompanie të famshme, bëri që të ndizen sërish pretendimet për Real Madridit.

Në orën që Ronaldo mbante në postimin e tij të fundit, ra në sy se brenda saj ishte gdhendur goli me kokë që shënoi ndaj Manchester United kur ai luante me Real Madridin.

Duke pasur 4 fitore në UEFA Champions League me Real Madridin , në të cilin u transferua në vitin 2009, Cristiano Ronaldo pati një performancë prej 451 golash dhe 131 asistime në 438 ndeshje.

/Shqip.com