OP-ED Kolumne

Opozitë dhe pozitë që thirret në emër të popullit, ndërsa mendojnë veç për prapanicën e vet!

Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Padyshim se shija më e keqe gjatë kësaj javë ishte vonesa e pagave të mësimdhënësve. Derisa Qeveria u pozicionua në njërën anë për të zbatuar ligjin, siç ata deklaronin, në anën tjetër shkatërruesit e deridjeshëm të arsimit, opozitarët e sotshëm u bënë gardianë të mësimdhënësve.

Vetë greva në arsim e cila kaloi çdo racionalitet, prodhoi zhurmë të atillë sa më nuk ishin në fokus as mësimdhënësit dhe as fëmijët që s’do mend ishin më të dëmtuarit në këtë proces. Ishte luftë e pastër politike që bëhej në emër të “arsimit”.

Cilit arsim?

Të njëjtit që Opozita e sotshme kishte vënë bazat e shkatërrimit gjatë kohës sa ishte në pushtet. Gjë që do të kulmonte me rezultate të turpshme në testin PISA.

Hapja e kolegjeve private pa asnjë normë dhe standard, hapja e universiteteve të shumta publike të cilat drejtohen nga profesorë që kanë probleme serioze me drejtshkrim, ishin veç një gjobë e rëndë që iu vu arsimit në kohë fushatash elektorale kur pushtetarët bënin të pamundurën që ta mbanin pushtetin. Në heshtje, libreza partiake u bë kualifikimi më i vlefshëm për të gjithë ata që në të ardhmen do të ishin udhërrëfyes të dijes për brezat e rinj.

Në mungesë të mirëfilltë të kauzave politile, Opozita pa mëshirshëm u hodh në gjah të votave të mësimdhënësve. Nuk ishte me rëndësi se çfarë kishin deklaruar në të kaluarën dhe as se çfarë i kishin shkaktuar arsimin, e vetmja betejë që përbënte rëndësi për ta ishte vota e tyre. Duhej të irritoheshin me Qeverinë Kurti.

Një organizëm prej 25 mësimdhënësve duhet të revoltoheshin dhe t’iu humbte gëzimi edhe kur të ngriteshin koeficientët e pagave të tyre me ligjin e ri. Thjeshtë, Qeveria duhej ndëshkuar. Dhe, në këtë qëllim të opozitës pa dyshim se shërbyen edhe shumë deputetë nga pushteti, të llojit të Dimal Bashës.

Sa më shumë shtoheshin zërat irracional, sa më e egër bëhej beteja ku të gjithë thirreshin në emër të mësimdhënësve dhe fëmijëve, aq më pak dikush mendonte për këto dy kategori që të hutuar ndiqnin akuzat dhe kundërakuzat të cilat aspak nuk kishin të bënin me të ardhmen e tyre, por me garantimin e vazhdimësisë së partive politike.

Sot mësimdhënësit i kanë marrë pagat. Ata presin, si të tjerët, se në të ardhmen do të kenë ngritje të koeficienteve. Askush nuk e kuptoi pluhurin që u ngrit në emër të të ardhmes së fëmijëve pikërisht nga ata që e bënë këtë shtet të pabauneshëm për brezat e rinj.

Nesër do të zhvillohet ndonjë betejë tjetër politike në emër të të “mirës së qytetarëve” nga opozitë dhe pozitë që e kanë humbur racionalitetin dhe çdo betejë e bëjnë në emër të popullit, kur në fakt mendojnë veç për prapanicën e vet!

*Qëndrimet e autorit nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë./Shqip.com

/Shqip.com