Opozita: Situata me COVID-19 është alarmante, qeveria të marrë masa

Deputetët e opozitës në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës kanë kritikuar qeverinë për “keqmenaxhimin e situatës me pandeminë”, duke thënë se gjendja është alarmante dhe sipas tyre, qeveria duhet të angazhohet më shumë.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, kërkoi nga qeveria që të merren masa të reja në luftën kundër COVID-19.
Ai tha se duhet të ketë angazhim më të madh të qeverisë e posaçërisht të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Sipas tij, java tjetër nuk duhet ta zë Kosovën pa masa shtesë.
“I bëj thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës të mos veprojë sikur këtë javë që pavarësisht thirrjeve nuk duket se janë rritur masat, në ndihmë të institucioneve të Kosovës në luftën kundër COVID-19. Sot na duhet angazhim më i madh se kurrë në fuqizimin e spitaleve rajonale dhe QKUK-së”, tha Tahiri.
Ai më tej u bëri thirrje qytetarëve që t’i dëgjojnë këshillat e profesionistëve shëndetësorë dhe të vaksinohen.
Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovë, njëherësh ish-ministër i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se situata është alarmante.
Ai ka kritikuar qeverinë duke thënë se “u ka dhënë sinjale qytetarëve se ka mbaruar pandemia dhe nuk ka virus në Kosovë”.
“Situata është alarmante andaj lus qeverinë t’i kthehet realitetit, mos ja ndalni shtesat mjekëve, mos punoni sikur pandemia ka përfunduar, riktheni mbështetjen për stafin profesional shëndetësor, riktheni inspektorët. I keni mbyllur të shtunave dhe të dielave për vaksinim. Jo helmimin politik dhe gjuhën e ulët që keni përdorur kur kishte rritje të rasteve në qeverinë e kaluar”, tha Zemaj.
Kritika për qeverinë ka pasur edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Besnik Tahiri.
Sipas tij, Qeveria ka dështuar në vetëdijesimin dhe planin operaional të vaksinimit në masë të qytetarëve.
Tahiri ka shtuarse duhet me urgjencë të merren veprimet për vaksinimet në masë.
“Nuk është e drejtë t’u drejtohet gishti qytetarëve të Kosovës. Menaxhimi i pandemisë po shkon në menaxhimin më të dobët të rajonit”, ka thënë Tahiri./SHQIP.com