Opozita bllokon rrugët, paralizohet qarkullimi në 6 kryqëzimet kryesore të vendit. Skenari që pritet
Opozita ka nisur mosbindjen civile, e dyta radhazi pas asaj të 7 tetorit. Opozita paralajmëroi bllokimin e gjashtë segmenteve kryesore të lëvizjes së automjeteve në Shqipëri, duke nisur nga ora 17.00, si pjesë e strategjisë së saj. Deputetët e PD-së u shpërndanë në 6 akse kryesore dhe është parashikuar të paralizohet qarkullimi për tre orë. Çdo segment do të ketë në krye degët e PD në rrethe si dhe deputetët e qarkut. Afati i bllokimit po kështu mësohet të jetë nga ora 17:00-20:00.
Në rrethrrotullimin e Shkozetit, një nga 6 pikat ku po protestohet, mbështetës të opozitës, i kanë vënë zjarrin disa gomave.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ka folur nga ish-sheshi Shqiponja për mosbindjen civile që po zhvillon opozita. Noka tha se Partia Demokratike do ta vazhdojë betejën e saj. Sipas Nokës, PD është në mosbindje civile, duke shtuar se do të vazhdohet me akte të tjera.
Rrethrrotullimi i Bradasheshit është bllokuar nga protestuesit e opozitës. Nuk lejohet qarkullimi i asnjë automjeti në drejtim Tiranës apo dhe Elbasanit. Sikurse nuk ka lëvizje as në drejtim të Peqinit, Rrogozhinës apo Belshit.
Është bllokuar edhe rrethrrotullimi i Milotit në të dy korsitë e rrugës. Disa qytetarë janë ulur këmbëkryq në asfalt duke bllokuar aksin. Në këtë rrethrrotullim janë caktuar deputetët; Flamur Hoxha, Isuf Çela, Emilja Koliqi, Ramadan Likaj, Greta Bardeli, Ludovik Hasanaj, Lindita Metaliaj, Elda Hoti dhe Kastriot Piroli.
/Shqip.com