Art Jetese

Nuk mungon kurrë në tryezën e Vitit të Ri, ja si të përgatisni sallatën e famshme ruse

Pas gjelit të detit, sallata ruse është pa diskutim pjata që nuk mungon kurrë në tryezën festive të Vitit të Ri.

E shijëshme, e thjeshtë dhe super e lehtë për t’u përgatitur, kjo sallatë është kthyer tashmë në një pjesë të pandashme të menysë së çdo amvise, ndaj nëse nuk e keni bërë akoma kjo është receta.

PËRBËRËSIT PËR 6 PERSONA:  300 g karota, 700 g patate, 300 g bizele, disa kastravecë të vegjël turshi, kripë dhe piper, vaj ulliri dhe uthull e bardhë, sipas nevojës, 300 g majonezë e blerë ose e përgatitur si më poshtë.

PËR RRETH 300 G MAJONEZË DUHEN:  2 të verdha veze në temperaturë ambienti, 1 lugë e madhe mustardë “Dijon” – mundësisht me shije të forte, kripë e piper i bluar në çast, 250 ml vaj kikiriku ose 160, ml vaj kikiriku  90 ml vaj ulliri, 2 lugë gjelle uthull vere e bardhë ose 2 lugë lëng limoni.

PËRGATITJA: Patatet dhe karotat e qëruara i presim në kubikë të vegjël dhe më pas i ziejmë në një tenxhere me ujë të valuar e me kripë. I lëmë në zjarr derisa të shohim që janë zbutur, por të mbeten dhe krokante. I kullojmë dhe i lëmë mënjanë.

Po kështu veprojmë dhe me bizelet. Në një tas qelqi, hedhim të verdhat e vezëve, mustardën, pak kripë e piper dhe i përziejmë me rrahësen e vezëve me dorë për 30 sekonda, shkruan Living.

Shtojmë dalëngadalë vajin,me një curril shumë të hollë, duke e vazhduar përzierjen pa ndërprerje. Sapo të shohim që majoneza po trashet, e hedhim vajin me curril më të trashë, pa ndaluar përzierjen.

Kur ta kemi hedhur të gjithë vajin dhe ai të jetë thithur tërësisht, e përziejmë për 30 sekonda me shpejtësi derisa majoneza të bëhet e trashë dhe me shkëlqim. Shtojmë tani uthullën ose limonin dhe e rregullojmë sipas shijes për kripë e piper.

Për ta bërë pak më të lehtë në shije, sipas dëshirës mund ta përzieni me 2-3 lugë djathë “Philadelphia” ose djathë tjetër kremoz, ose me 3 lugë kos shumë të trashë. Në një tas përziejmë karotat, patatet, bizelet dhe kastravecët turshi me pak vaj ulliri, pak uthull, kripë e piper. I përziejmë dhe i lëmë mënjanë derisa të marrin shije dhe aromë.

Pas pak përziejmë me delikatesë të gjithë përbërësit me majonezën në një tas. E mbulojmë me plastmasë kuzhine dhe e lëmë në frigorifer për të paktën një orë përpara se të shërbehet ose akoma më mirë një natë.