Art Jetese

Njihuni me voglushin që po hyn në librin e rekordeve

Një vogëlush në Ghana është cilësuar si piktori më i ri në botë.

Nëna e tij ka shprehur për BBC krenarinë për aftësitë artistike të të birit dhe uron që një ditë ai të bëhet shumë i famshëm.

Ace-Liam Nana Sam Ankrah është njohur si talent në moshën 1 vjeç e 152 ditë.

“Ai e di cilat ngjyra kombinojnë me njëra-tjetrën”, tha nëna e tij, Chantelle Kuukua Eghan që ka qenë piktore për 8 vjet.

Ajo shtoi se e kuptoi talentin e djalit kur ai ishte vetëm 6-muajsh.

Ace-Liam e mori titullin zyrtarisht të hënën e shkuar, pas 5 muajsh pritjeje që Rekordet Guinness të ratifikonin vendimin.

“Kur hapa email-in e tyre, shpërtheva në të qara dhe falenderova Zotin”, tha Eghan.

Që vogëlushi të kualifikohej për rekordin, duhej që të ishte pjesë e një ekspozite profesionale të hapur për publikun dhe të shiste punimet e tij.

Kjo duhet të bëhej në një standard profesional dhe nga provat që u dërguan, treguan që ishte e realizuar në mënyrë të pavarur.

Punët e Ace-Liam u ekspozuan në Muzeun e Shkencës dhe Teknologjisë në Akra, nga nëntori deri në dhjetor.

Ai shiti 9 prej 10 veprave të ekspozuara dhe madje i është kërkuar një punim nga Zonja e Parë, Rebecca Akufo-Addo, e cila vizitoi ekspozitën.

Deri më tani ai ka shitur 15 piktura dhe së shpejti do të mbajë edhe një ankand.

Pikturat e tij kanë si karakteristikë ngjyrat e ndezura dhe bojërat me akrilik që krijojnë imazhe abstrakte.

Ace-Liam ka edhe atelienë e tij që ia ka ndërtuar e ëma, gati për të krijuar kryeveprat e ardhshme.

/Shqip.com