Lajme

Njëri nga të plagosurit rëndë në Viti po vazhdon të trajtohet në QKUK

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK)

Po vazhdon të trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës njëri nga personat i cili gjatë së martës u plagos rëndë në Viti, ku mbet i vdekur një person e po ashtu u plagos një tjetër, transmeton Shqip.com.

Mjeku kujdestar, Ilir Hasanaj, ka njoftuar se gjendja e pacientit për momentin është stabile, por që i njëjti ka plagë dhe lëndime të rënda.

“Në të dy këmbët është i plagosur. Një plumb është në bark, brenda regjionit të abdomenit. Plumbi ka depërtuar prej kofshës në regjionin e brakut. Është duke u trajtuar me lëngje. Për momentin është stabil, por vazhdojmë më tutje”, ka thënë ai për Klan Kosova.

Hasanaj po ashtu ka bërë të ditur se tek 30-vjeçari ende nuk është bërë ndonjë ndërhyrje kirurgjike, sepse fillimisht do t’i bëhet një kontroll paraprak për të parë nëse është i nevojshëm intervenimi në abdomen.

Kjo meqë sipas tij, rreziku më i madh është në këtë pjesë të trupit të pacientit./Shqip.com