Lajme Ballkan

Një serb dënohet për pjesëmarrje në luftën në Ukrainë

Një tank në Donbas.

Shtetasi serb Vllado Staniq u dënuar me një vit burgim për pjesëmarrje në luftën në territorin e Ukrainës më 2015.

Më 15 korrik të këtij viti, Staniq ishte arrestuar në Aeroportin e Beogradit “Nikolla Teslla” dhe më pas ai pranoi para autoriteteve se kishte marrë pjesë në luftë.

Siç shpjegoi gjykatësja gjatë shqiptimit të dënimit më 9 shtator, Staniqit iu shqiptua dënimi minimal për akuzën për pjesëmarrje në luftë apo konflikt të armatosur në një shtet të huaj, për shkak se luftës iu bashkua si pjesë e një grupi, raporton REL.

Koha e kaluar në paraburgim do të llogaritet në dënim.

Përveç dënimit me një vit burgim, Staniqit iu konfiskuan edhe dokumentet e udhëtimit.

Ai është liruar nga burgu dhe do të ftohet që më vonë të vuajë dënimin.

Avokatja e Staniqit, Katarina Ninkoviq, tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se do të apelojë vendimin.

“Ne besojmë se këtu nuk ka ndonjë krim të vërtetë sepse në kohën kur u krye krimi, klienti im nuk e dinte se kjo ishte shkelje penale. Kjo pasi, vepra penale për pjesëmarrje në luftë apo konflikt të armatosur është futur në legjislacion më 2014. Ai e kreu krimin më 2015 gjashtë muaj pasi legjislacioni ishte prezantuar”, tha ajo.

Sipas aktakuzës, në mars të vitit 2015 Staniq në mënyrë vullnetare iu bashkua forcave pro-ruse në lindje të Ukrainës si pjesë e formacionit paramilitar të Regjimentit Hussar.

Sipas raportimeve, në një qytet në Donbas – që është nën kontrollin e forcave pro-ruse – ai kishte kontrolluar të gjithë makinat dhe pasagjerët që hynin në atë zonë. Ai ka shërbyer në një pikë kontrolli, duke mbajtur të veshur uniformën e të ashtuquajturës Republikë Popullore të Luhanskut dhe Donjeckut, u tha në aktakuzë.

Sipas një vlerësimit të Ambasadës ukrainase në Serbi, mbi 300 shtetas serb shkuan për të luftuar përkrah forcave pro-ruse në konfliktin në lindje të Ukrainës që nisi më 2014.

Pjesëmarrja në luftëra të huaja në Serbi u bë vepër penal më 2014 dhe persona që legjislacioni parasheh dënim deri në dhjetë vjet burgim.

Në periudhën 2015-2018, Serbia dënoi 32 persona për pjesëmarrje në luftën në lindje të Ukrainës. Më 2021, një person u dënua për organizim të udhëtimit për në fushëbetejat në Ukrainë./SHQIP.com