Një gjykatë në Las Vegas, rekomandon të hidhet poshtë rasti për akuzat seksuale të Cristiano Ronaldos
Çështja civile në lidhje me akuzën e sulmit seksual dhjetëvjeçar të bërë kundër, Cristiano Ronaldos është rekomanduar të hidhet poshtë nga një gjykatë në Las Vegas.
Gjykata civile në ShBA-së ka vendosur që akuzat historike të bëra për yllin e Manchester United nga Kathryn Mayorga të hidhen poshtë, shkruan DailyMail.
“Ne jemi të kënaqur me shqyrtimin e hollësishëm të Gjykatës mbi këtë çështje dhe gatishmërinë e saj për të zbatuar ligjin në fakte dhe për të rekomanduar pushimin e çështjes civile kundër Ronaldos”, tha avokati i sulmuesit portugez, Peter S. Christiansen.
Ekipi ligjor i Mayorgas ka 14 ditë kohë për të kundërshtuar vendimin e gjykatës.
Çështja penale në lidhje me akuzën tashmë ishte hedhur poshtë nga Prokurori i Qarkut në Las Vegas.
Në qershor të këtij viti, ekipi juridik i Ronaldos kërkoi nga një gjykatë federale në ShBA që të hidhte poshtë padinë civile kundër tij.
Avokatët e sulmuesit portugez pretenduan se ekipi ligjor i Mayorgas i dha ‘letra të vjedhura’ policisë në Las Vegas, të cilët po hetonin pretendimet.
Në një rekomandim të ashpër për gjyqtarin që shqyrton çështjen, gjykatësi, Daniel Albregts fajësoi të mërkurën avokatin e Mayorgas, Leslie Mark Stovall, për bazimin e çështjes në dokumentet e rrjedhura dhe të vjedhura, të cilat Albregts tha se ishin komunikime të privilegjuara midis Ronaldos dhe avokatëve të tij.
“Heqja dorë nga çështja e Mayorgas për sjelljen e papërshtatshme të avokatit të saj është një rezultat i ashpër”, shkroi Albregts në rekomandimin e tij për gjyqtarin e rrethit amerikan Jennifer Dorsey.
Mayorga ka pohuar se ajo ishte sulmuar seksualisht në një dhomë hoteli në Las Vegas pas një nate të kaluar jashtë me futbollistin në vitin 2009.
Ronaldo ka vazhduar të mohojë pretendimin e saj.
Sipas The Mirror, Ronaldo bleu heshtjen e Mayorgas 12 vjet më parë për 375,000 funte.
Ajo më pas kërkoi të përmbysë atë zgjidhje origjinale në vitin 2018 dhe tani po kërkon më shumë se 56 milionë funte dëmshpërblim.
Në vitin 2018, Ronaldo ka deklaruar: “Unë i mohoj me forcë akuzat që janë ngritur kundër meje. Përdhunimi është një krim i neveritshëm që shkon kundër gjithçkaje në të cilën unë besoj”.
E dashura e Ronaldos, modelja 26-vjeçare spanjolle Georgina Rodriguez, gjithashtu i ka qëndruar pranë futbollistit edhe pas gjithë këtyre pretendimeve./SHQIP.com