Lajme

Nis takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel

Kryeministri, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq

Ka nisur në Bruksel takimi i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, ku janë takuar kryeministri, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, shkruan SHQIP.

Takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiq është duke u zhvilluar në prani të përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian Josep Borrell dhe përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, raporton ‘Tanjug’.

Borrell, ka thënë se takimi i sotëm mes Kosovës e Serbisë është shumë i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Mbajtja e kontakteve të rregullta është e rëndësishme dhe tregon përkushtim për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Do të vazhdojmë sot diskutimet për rezultatet e arritura deri tani, hapat e ardhshëm para nesh dhe rrugën përpara në zhvillimin e këtij dialogu”, ka thënë ai.

Borell shtoi se Kosova dhe Serbia duhet të shohin përpara, duke thënë se e kaluara është e rëndësishme por kapitulli i saj mbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Kosova dhe Serbia duhet që më në fund ta mbyllin kapitullin e të kaluarës së dhimbshme përmes një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve duke shikuar përpara drejt rrugës evropiane për qytetarët e vet. E ardhmja është më e rëndësishme sesa e kaluara”, tha ai para gazetarëve./SHQIP.com