Lajme Botë

NIS LUFTA| Irani lëshon një “lumë” dronësh drejt Izraelit

Një numër i madh dronësh kamikazë është lëshuar nga Irani në drejtim të Izraelit, raportojnë mediat ndërkombëtare, duke cituar burime nga ushtria izraelite.

Në mediat sociale janë postuar video të dronëve (rreth 50 deri në 100) që janë parë të fluturojnë mbi hapësirën ajrore të Irakut në drejtim të Izraelit.

Do të duheshin disa orë për dronët kamikazë të llojit “Shahed” që të mbërrijnë objektivat e tyre në Izrael. Sipas llogaritjeve dronët do të mbërrijnë në Izrael midis orës 6:30 dhe 7:30 të mëngjesit.

Po ashtu, burime të pakonfirmuara në mediat e huaja raportojnë se hakerat iranianë kanë arritur të bllokojnë disa prej radarëve izraelitë.

Jordania mbyll hapësirën ajrore

Autoriteti Rregullator i Aviacionit Civil Jordanez njoftoi të shtunën se hapësira ajrore e vendit do të mbyllet përkohësisht për të gjithë avionët në hyrje, nisje dhe tranzit, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Petra, pasi Izraeli fqinj mbetet në gatishmëri të lartë për një sulm iranian.

“Autoriteti ka marrë një vendim për mbylljen e përkohshme të hapësirës ajrore jordaneze për të gjithë avionët që vijnë, nisen dhe kalojnë, duke filluar nga ora 23:00 me orën lokale për disa orët e ardhshme, dhe kjo do të përditësohet dhe rishikohet vazhdimisht sipas zhvillimeve“, sipas Petra.

Në një deklaratë, autoriteti përmendi imperativin për të mbrojtur sigurinë e aviacionit civil brenda hapësirës ajrore jordaneze.

Mbyllja vjen pas një vlerësimi të plotë të rreziqeve në përputhje me standardet ndërkombëtare, thuhet në njoftim.

Irani pranon se po sulmon edhe me raketa

Garda Revolucionare e Iranit njoftoi lëshimin e “dhjetëra dronëve dhe raketave” drejt “territoreve dhe pozicioneve të pushtuara të regjimit sionist”, siç quhen në deklaratë.

Kjo është raportuar nga agjencia zyrtare iraniane e lajmeve IRNA, sipas së cilës sulmi është “përgjigjja ndaj krimeve të shumta të kryera nga regjimi sionist, përfshirë sulmin ndaj seksionit konsullor të ambasadës iraniane në Damask dhe martirizimin e një grupi komandantësh dhe ushtarë e këshilltarë të vendit tonë në Siri”.

Sipas Pasdaran, sulmi është kundër “objektivave specifike brenda territoreve të pushtuara”.

Sulmi iranian ndaj Izraelit ka shqetësuar SHBA-të.

“Presidenti Joe Biden do të takohet me zyrtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Dhomën e Situatave të Shtëpisë së Bardhë pas kthimit të tij nga Rehoboth, Delaware“.

Kjo ka qenë deklarata e Shtëpisë së Bardhë duke shtuar se Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe Presidenti i Shefave të Shtabit të Përbashkët, Gjenerali Charles Q. Brown, do të marrin pjesë në takim.

Më herët, Shtëpia e Bardhë konfirmoi fillimin e sulmit kundër Izraelit nga Irani duke nënvizuar se Joe Biden është informuar dhe po ndjek me kujdes situatën.

/Shqip.com