Lajme

Nikolla takohet me Escobar: SHBA janë vendi më prokosovar në botë

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka takuar Gabriel Escobar, Ndihmës Sekretar i Shtetit dhe i Dërguari Special për Ballkanin Perëndimor.

Në këtë takim është diskutuar edhe për situatën në Kosovë dhe dialogun me Serbinë.

Në një njoftim në rrjetin social Facebook, Nikolla ka shkruar se SHBA, të cilën Escobar e cilësoi si vendi më prokosovar në botë, janë të vendosura për mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit, integritetit dhe sigurisë së Kosovës dhe pranimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

“ShBA kanë dënuar aktin terrorist të 24 shtatorit dhe përgjegjësinë e Serbisë për këtë akt. Marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje strategjike dhe duhet punuar për zbatimin e saj. ShBA mbështesin dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE, si e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë, dhe po punojnë për njohjen e saj edhe nga pesë shtetet e BE që nuk e kanë njohur dhe po ndërtojnë një fushatë njohjesh globale për Kosovën”, ka shkruar Nikolla.

/Shqip.com