Lajme

Nga SBASHK-u tregojnë se çfarë presin nga takimi sot me Komisionin për Arsim

Përfaqësuesi i SBASHK-ut, Ymer Ymeri

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport do të diskutojë sot me përfaqësues të SBASHK lidhur me grevën e përgjithshme në arsim.

Sekretari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri për SHQIP.com tha se presin një përafrim në marrëveshje.

“Sot kemi një takim që është thirrur nga ana e tyre dhe ne prapë do t’i argumentojmë kërkesat tona në kuptim me i arsyetua pse duhet më u përmbushë dhe të shohim se çfarë përgjigje do të marrim. Kishte qenë shumë mirë që me pas një përafrim të qëndrimeve nga ana e dy palëve dhe me pas me pas edhe marrëveshje, por nuk e di ta shohim tash. Nga ky takim presim që me ndiku pozitivisht, që më pas me u arrit marrëveshja me Qeverinë dhe Ministrinë”, tha ai për SHQIP.com.

Përfaqësuesi i SBASHK-ut, Ymer Ymeri

Tutje, Ymeri tha se propozimet e tyre kanë me qenë të njëjta me ato që i kanë bërë Avokatit të Popullit.

“Ne kemi dhënë një propozim ndryshe nga ai qe kishim në fillim. Pra kemi bërë lëshime duke pranuar 50 eurot e paketës fiskale dhe kemi kërku një rritje në pagë prej 10.45 për qind aq sa ka qenë rritja ekonomike. Kjo duhet të fillojë nga shtatori në dhjetor dhe me pas nga janari kemi kërku rritje pagë në proporcion me inflacionin që është në vend”.

Lexo edhe:
SBASHK nuk tërhiqet nga 100 eurot, Jasharaj: Kurti na bullizoi, takimet tani e tutje do mbahen në praninë e mediave

Çfarë kërkesa ka SBASHK-u në letrën e drejtuar Avokatit të Popullit?

SBASHK-u ka thënë se pajtohet me një rritje prej mbi 10% të pagës për mësimdhënësit. Kështu thuhet në letrën e drejtuar në adresë të Avokatit të Popullit.

Sipas sindikatës kërkesa për rritje prej 10.45 për qind vjen nga rritja ekonomike që ka pasur Kosova në vitin 2021.

Më tej në letër shkruan se këtu duhet të jetë e përfshirë po ashtu edhe shtesa prej 50 eurosh e ndarë nga Qeveria nga pakoja ekonomike.

Gjithashtu sipas SBASHK-ut rritja e pagës duhet të bëhet edhe në vitin 2023 varësisht nga shkalla e rritjes ekonomike e po ashtu edhe shkalla e inflacionit duhet të jetë e përfshirë në pagë.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës thekson se kërkesat e tyre janë të bazuara edhe në kontratën kolektive.

Cilat janë kërkesat e mësimdhënësve?

Mësimdhënësit po kërkojnë miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit të Pagave, i cili do t’i rregullonte pagat në sektorin publik në bazë të një hierarkie të detyrave, por deri në miratimin e tij, kërkojnë shtesa në pagë prej 100 eurove në muaj./Shqip.com