Ekonomi Biznes

Nga 1 janari TVSH-ja kthehet në 18 për qind

Ilustrim

Administrata Tatimore e Kosovës njoftoi të martën se nga 1 janari i vitit 2022, furnizimet e mallrave dhe shërbimeve në veprimtarinë hoteliere, restorante dhe shërbime të ushqimit, do të tatohen sipas normave të përcaktuara me Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, që i bie 18 për qind.

ATK-ja ka njoftuar tatimpaguesit se norma e reduktuar e TVSH-së prej tetë për qind e përcaktuar me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, do të jetë e vlefshme vetëm deri më 31 dhjetor.

“Po ashtu, të gjithë tatimpaguesit e regjistruar për TVSH, bazuar në Ligjin Nr. 07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID 19, për transaksionet e sigurimit dhe ri-sigurimit në bujqësi, për policat e sigurimeve bujqësore për kulturat bujqësore, me rastin e furnizimit të tyre nuk aplikojnë TVSH vetëm deri me datë 31.12.2021, me kusht që të kenë plotësuar kriteret e përcaktuara me vendim nga Ministri i Bujqësisë. Pas kësaj date këto furnizime tatohen sipas normave të përcaktuara me Ligjin në fuqi për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, thuhet në njoftim.

Pra, nga data 01.01.2022, transaksionet e sigurimit dhe ri-sigurimit në bujqësi, për policat e sigurimeve bujqësore për kulturat bujqësore, tatohen sipas normave të përcaktuara me Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar./SHQIP.com