Lajme

Nesër mbahet konferenca për përgatitjen e gjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit

Ish-krerë e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi

Nesër do të mbahet konferenca për përgatitjen e gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke filluar nga ora 09:30.

Sipas njoftimit të gjykatës, aty do të diskutohet lidhur me gatishmërinë e palëve që gjykimi të fillojë më 1 mars 2023 dhe kohëzgjatjen e fjalës hyrëse të tyre dhe çështje të tjera procedurale dhe substanciale.

Ndërsa sa i përket pjesës substanciale, do të diskutohet për pikëpamjet e palëve mbi ekzistencën e pretenduar, natyrën dhe kohëzgjatjen e një konflikti të armatosur dhe pikëpamjet e palëve mbi ekzistencën e pretenduar të një sulmi të përhapur ose sistematik në dritën e gjetjeve në rastet e TPNJ-së Limaj dhe Haradinaj, raporton Betimi për Drejtësi.

Ndërsa sot gjatë ditës, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar nga trupi gjykues që t’i vazhdohet masa e paraburgimit Rexhep Selimit, dhe Jakup Krasniqit

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

/Shqip.com