Lajme

Tensione në mes prokurores dhe gjyqtarit në seancën ndaj ish-kryeshefit të KPM-së

Në seancën gjyqësore ndaj ish-kryeshefit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KMP) Luan Latifi, prokurorja e shtetit, Merrushe Llugiqi dhe kryetari i trupit gjykues, gjykatësi, Alban Ajvazi janë konfrontuar verbalisht mes vete.

Ky konfrontim erdhi si rezultat i audio-incizimit, ku gjykatësi Ajvazi kërkojë që të specifikohet vetëm biseda që e inkriminojnë me veprën penale të akuzuarin Latifi, mirëpo prokurorja Llugiqi nuk është pajtuar me këtë propozim, duke këmbëngulur se audio-incizimi nuk mund të ndahen në dy pjesë.

Fillimisht, prokurorja Llugiqi u ngrit në këmbë duke i thënë gjykatësit Ajvazi të mos i drejtohet me gisht sepse nuk është e çmendur, ndërsa gjykatësi Ajvazi ia tërhiqi vërejtjen asaj për shkak të mosrespektimit të urdhrit të gjykatës, raporton Betimi për Drejtësi.

Paraprakisht prokurorja Llugiqi kërkojë që të administrohen si prova materiale fotoalbumi i parave të përdorura, audio-incizimet e bisedës midisi Elhami Hazirit, Arben Bilallit dhe Latifit, emailat  ku vërtetohet se Kompania “Telkos” ka njoftuar Komunën e Prizrenit për punimet.

Në seancë ishte prezent edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati, Naim Rudari, i cili tha se mbështes në tërësi propozimet e prokurorisë për provat materiale.

Gjithashtu në seancë prezantoi edhe mbrojtësi i të akuzuarit Latifi, avokati Driton Musliu, i cili kërkojë nga prokuroria po ashtu që të veçohen vetëm provat që janë inkriminuese për klientin e tij, të akuzuarin Latifi.

Pas propozimit për administrimin e këtyre provave kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi kërkojë nga prokurorja  Llukiqi që në afat prej 5 ditësh t’i ndaj këto prova dhe të propozojë për administrim vetëm provat që e inkriminojnë më veprën penale të akuzuarin Latifi.

Kjo seancë u ndërprerë nga gjykatësi Ajvazi duket kërkuar që audio-incizimi të rregullohet dhe të përfshihen vetëm bisedat që e inkriminojnë të akuzuarin Latifi.

Seanca e radhës për këtë çështje u caktua më 23 shkurt të këtij viti.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 nëntor 2021, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj dy të akuzuarve, duke e refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarit Latifi dhe po ashtu kishte ndërprerë masën e arrestit shtëpiak ndaj tij dhe të akuzuarit Bilalli.

Ndërsa, pas ankesës së avokatit Musliu, Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e shkallës së parë, me të cilën ishte konfirmuar aktakuza për korrupsion ndaj të akuzuarit Latifi dhe e kishte kthyer çështjen në rivendosje.

Pas kthimit në rivendosje nga Gjykata e Apelit më 17 nëntor 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 dhjetor 2021 ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës të ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit Latifi  dhe më pas më 23 dhjetor 2021, Apeli ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë për konfirmim të aktakuzës.

Aktakuza e ngritur më 15 shtator 2021, ngarkon Luan Latifin se në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe Arben Bilalli, në cilësinë e drejtorit të Administratës dhe Financave në KPM, gjatë qershorit 2021, kishin kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “Telkos”.

Në aktakuzë thuhet se ky ryshfet ishte pranuar nga ana e të akuzuarve me qëllim që kompanisë “Telkos”, të mos i shqiptohet gjobë për shkak se e njëjta kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.

Sipas aktakuzës, Bilalli më 24 qershor 2021, ishte takuar në zyrën e tij me pronarët e kësaj kompanie, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli, të cilëve iu kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet, duke iu thënë se këtë shumë të parave po e kërkonte i akuzuari Latifi.

Por, pasi i dëmtuari Haziri i kishte thënë që nuk e kishte këtë shumë, të njëjtit kishin arritur të merren vesh që për fillim të japin 10 mijë euro, ku në atë moment sipas prokurorisë, i akuzuari Bilalli i kishte shkruar të akuzuari Latifi “nuk po lëshon veç 10”, dhe më pas më 29 qershor 2021, i akuzuari Bilalli ishte takuar me të dëmtuarin Haziri.

Sipas prokurorisë, të dy ishin takuar në restorant “Garden”, në Gjilan, dhe pasi i dëmtuari Haziri i kishte dhënë 8 mijë euro, kishte kërkuar nga i akuzuari Bilalli të kontaktojë të akuzuarin Latifi për tu bindur se ky i fundit e kishte marrë vesh se paratë janë dhënë.

Pas kësaj, prokuroria po pretendon se duke u zbatuar masat e fshehta dhe nën vëzhgim të policisë, i akuzuari Bilalli në prezencë të të dëmtuarit Haziri i kishte telefonuar të akuzuarit Latifi duke i thënë “kreva punë dhe tash po eci”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bilalli shumën prej 8 mijë euro e kishte pranuar në një zarf dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës, ku rrugës ishte ndaluar nga policia të cilët ia kishin gjetur shumën prej 8 mijë euro dhe ia kishin sekuestruar.

Për këto veprime, dy të akuzuarit po ngarkohen për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.

/Shqip.com