Lajme

Në seancën e ardhshme të Kuvendit pritet votimi i Projektligjit për çmimet e produkteve esenciale

Në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës që do të mbahet të enjten pritet të votohet projektligji për çmimin tavan të produkteve esenciale.

Siç ka njoftuar Kuvendi i Kosovës votimi i këtij projektligji do të bëhet pas deklarimeve jashtë rendit të ditës.

“Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në këtë seancë deputetët pritet të votojnë në parim Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Krahas kësaj, në këtë seancë pritet të shqyrtohet projektligji për faljen e masave ndëshkimore gjatë pandemisë.

Pika tjetër e rëndit të ditës ka të bëjë me Radio Televizionin e Kosovës.

“Pikë e radhës e rendit të ditës do të jetë votimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës”, për të vijuar me shqyrtimin e Propozim-rezolutës kundër sulmeve ndaj integritetit seksual”.

Punimet e seancës do të përfundojnë me formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave.​

Seanca do të fillojë nga ora 10:00.

/Shqip.com