Në Ditën e Çlirimit të Kosovës, Osmani dhe Kurti kërkojnë drejtësi për krimet serbe
Manifestimi Qendror për shënimin e 23 vjetorit të çlirimit të Kosovës nga forcat serbe, u shënua te Treni Muze “Nga Eksodi në Liri”, në Ballcë të Hanit të Elezit, prej ku mijëra shqiptarë ikën nga Kosova.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Bllaca 23 vite më parë ishte strehë dhe shpresë për popullin e Kosovës, pasi vetëm disa hapa ishin larg nga ndenja e sigurisë në tokën e shtetit fqinj.
“Nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi për gratë e dhunuara, për të zhdukurit me dhunë, sikurse edhe për të gjitha viktimat civile. Do t’i mbajmë gjallë rrëfimet për të gjitha ata që kontribuuan e sakrifikuan që ranë për liri dhe fati i të cilëve mbetet peng akoma për ta ruajtur kujtesën, por orientimin do ta kemi përpara sepse jemi popull që shikon dhe ecën nga e ardhmja gjithnjë duke e kuptuar që paqja nuk është e mundur pa drejtësi”, ka thënë ajo.
Osmani gjithashtu ka thënë se nuk do të rreshtin duke kërkuar drejtësi për gratë e dhunuara e të zhdukurit, ndërsa theksoi se Evropa rilind me një Kosovë të integruar në familjen e BE-së.
“Sot Evropa rilind në një Kosovë të integruar në familjen e BE-së, ky synim i yni nuk duhet të mbetet peng ndaj liberalizimi i vizave duhet të ndodh sa më parë e Kosova të bëhet pjesë e strukturave euro-atlantike, aty ku e ka vendin. Kosova ka bërë hapa përmbajtësor drejtë të ardhmes së saj euro-atlantike, duke qenë një shtet i dominuar nga rinia, përpjekja jonë e vazhdueshme është që Kosovën ta shndërrojmë në vend ku ata e krijojnë dhe kanë perspektiven e tyre, këtë po e bëjmë çdo ditë, potenciali i rinisë kosovare është i jashtëzakonshëm, andaj atyre duhet t’u jepet dhe t’u krijohet mundësia”, theksoi Osmani.
Presidentja Osmani deklaroi se më 12 qershor 1999 erdhi liria, morën fund shtypja e vrasjet dhe zuri thellë krijimi i shtetit më të ri në botë.
“Shteti i Kosovës është projekti më i rëndësishëm i yni i ndërtuar mbi sakrifica të mëdha, por edhe projekti më i rëndësishëm i politikës amerikane-evropiane, si dhe i të gjithë atyre që u vunë krah nesh, krah lirisë e demokracisë. Sot jemi këtu jo për të mbetur pengë të historisë por për ta kujtuar të kaluarën tonë të lavdishme, për t’i kujtuar gratë dhe burrat e UÇK-së dhe gratë dhe burrat e Aleancës Veri-Atlantike, të cilët e bënë të mundshme realizimin e ëndrrës shekullore për liri e shtet. Jemi këtu për të shikuar përpara dhe për të kujtuar figurat emblametike për liri, pavarësi dhe shtetndërtim. Do ta kujtojmë përherë përpjekjen diplomatike të urtë dhe këmbëngulëse të presidentit historik, Ibrahim Rugova për Kosovën shtet, do të jetojmë gjithnjë për heroizmin e komandantit legjendar, Adem Jashari me familje të cilët u bënë gurthemel të lirisë sonë“, tha ajo.
Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se në çdo 12 qershor kujtohet lufta dhe përjetimet për të mbrojtur tokën dhe shtëpinë tonë.
“23 vite rrugëtim për të arritur lirinë që e kemi ëndërruar gjithmonë, 23 vite kur aeroplanëve të NATO-së mbi Kosovë iu është bashkangjitur këmbësoria e NATO-së në Kosovë, teksa largonte forcat e Serbisë dhe takonte ushtarët e UÇK-së dhe refugjatët civil, e kjo e fundit është aq shumë e dhimbshme sa që ndjenjë e papërshkrueshme për shumë prej nesh që jetojmë sot këtu pikërisht në Bllacë, në vendin ku qindra mijëra shqiptarë ku kanë kaluar ditë dhe nate të tëra nëpër tenda në baltë, diell dhe shi duke shpresuar që shpëtimi gjendet përtej kufijve, qindra mijëra bashkatdhetarë kanë kaluar net të tëra pa gjumë pikërisht në këtë pjesë të zemëruar dhe të indinjuar për dëbimin e tyre të dhunshëm nga shtëpitë e tyre dhe të rraskapitur e të dërmuar nga ndjenja e lodhjes fizike dhe shpirtërore,” ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti ka thënë se po punojnë fort në adresimin institucional të së kaluarës, si dhe bërjen përgjegjës të Serbisë për krimet e saj të kryera në Kosovë.
“Jemi duke punuar fort në adresimin institucional të së kaluarës, si dhe bërjen përgjegjëse të Serbisë për krimet e saj të kryera në Kosovë mbi ne. Prandaj në momente si kjo na duhet të bëhemi bashkë e duke kujtuar luftën ta ruajmë paqen, ta shtrëngojmë fort dhimbjen që ndjejmë e të zotohemi që të bëjmë më të mirën për të ardhmen e këtij vendi, të brezit tonë e të gjeneratave që vijnë, pjesëmarrjen sa më të ndershme të shumicës së shoqërisë sonë duhet që sa herë që mbërrin kjo datë ta shënojmë një përpjekje të re në programin socio-ekonomik dhe një kërkesë më të lartë në integrimin evropian e euroatlantik në këtë mënyrë duhet ta festojmë ditën e Çlirimit të Kosovës duke deklaruar përpjekjet e reja në kuadrin e realizimit të projektit ku na vendos çlirimi ynë” ka thënë Kurti.