Ekonomi Biznes

Ndikimi i Kinës në ekonominë e Indonezisë

Nëpërmjet nismës “Një brez një rrugë” Kina ka hapur disa fabrika në Indonezi. Por shpërthimi i dhunës në një fabrikë kineze të shkrirjes së nikelit në Morowali të Indonezisë, që përfundoi me viktima, tregon mënyrat e të bërit biznes nga Kina të cilat bien ndesh me pritshmëritë indoneziane, thonë analistët, raporton Zëri i Amerikës.

Më 14 janar, një përplasje e dhunshme midis punëtorëve indonezianë dhe kinezë në një një fabrikë për shkrirjen e nikelit jo vetëm që shkaktoi dy viktima në të dyja anët, por gjithashtu pasqyroi dhe ndryshimet e kulturave mes dy vendeve si dhe mënyrën e të bërit biznes.

Li Qiang, i cili drejton organizatën “China Labor Watch” thotë se në këtë fabrikë me pronësi kineze punojnë më shumë se 200 punëtorë nga Indonezia.

Kompania kineze që po investon në Indonezi ka ardhur për të fituar para. Kompania nuk solli praktika të mira pune në Indonezi”, thotë ai.

Nëpërmjet nismës “Një brez një rrugë”, Kina ka investuar në projekte ndërtimi dhe fabrika në mbarë botën, përfshirë dhe fabrikën për shrirjen e nikelit në Morowali të Indonezisë. Puna ka nisur përsëri pas trazirave vdekjeprurëse, por kujtimet e dhunës mbeten.

Para se të shpërthenin trazirat, punëtorët indonezianë ishin takuar me zyrtarë të kompanisë, duke kërkuar që të ndryshonin kushtet e punës, të rriteshin pagat dhe të punësoheshin punëtorët e sindikatave që kishin hyrë në grevë.

Kur kompania nuk arriti të përmbushë të gjitha kërkesat e sindikatës, punëtorët indonezianë organizuan një protestë.

Ne pamë që këto çështje po grumbulloheshin dhe të kombinuara me mungesën e komunikimit më në fund shpërtheu dhuna”, thotë Afriansyah Noor, zëvendësministër i fuqisë punëtore në Indonezi.

Kompania kineze nuk ka pasur kurrë traditë të negociojë me sindikatat. Kompanitë kineze nuk do ta bëjnë kurrë diçka të tillë”, thotë eksperti Li Qiang, nga organizata “China Labor Watch”.

Modeli kinez i drejtimit të një biznesi në një vend të huaj shtrihet përtej Indonezisë, thotë eksperti tjetër Hongyi Lai.

Për disa nga këto fabrika kineze, që ata kanë në Azinë Juglindore apo dhe në Afrikë, ata mendojnë se punëtorët vendas duan vetëm pagesën dhe jo të drejta të tjera”, thotë ai.

Punëtorët kinezë në këto fabrika trajtohen më keq, thonë ekspertët.

Trajtimi i punëtorëve kinezë është më i ashpër se ai i punonjësve indonezianë. Për punëtorët kinezë ata nuk i zbatojnë ligjet e vendit, ata nuk mund të shkojnë dot në polici”, thotë Li Qiang nga organizata “China Labor Watch”.

Zëri i Amerikës i dërgoi disa pyetje me email fabrikës së shkrirjes së nikelit por ende nuk ka marrë përgjigje. Nga Ministria e Jashtme kineze kanë reaguar duke thënë se policia indoneziane po hetonte për incidentin.

Pala kineze do të qëndrojë në komunikim të ngushtë me palën indoneziane për të siguruar që incidenti të trajtohet siç duhet në përputhje me ligjin”, thotë Wang Wenbin, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.

Trazirat në Indonezi vijnë në kontekstin e një historie mosbesimi ndaj kinezëve thonë ekspertët.

Brenda popullatës së madhe të Indonezisë ka një shqetësim të madh se Kina mund të ndërhyjë në politikën dhe ekonominë e vendit”.

Punëtorët indonezianë dhe kompania po kalojnë përmes ndërmjetësimit për të zgjidhur konfliktin, ndërsa tensionet vazhdojnë.

/Shqip.com