Lajme

NATO: Ka shënja që Rusia ka kërkuar armë vdekjeprurëse nga Kina

NATO
NATO

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se ka shënja që Rusia ka kërkuar nga Kina që t’i dhurojë armë vdekjeprurëse.

“Ne nuk kemi parë ndonjë provë se Kina po dorëzon armë vdekjeprurëse në Rusi, por kemi parë disa shenja se kjo ka qenë një kërkesë nga Rusia dhe se kjo është një çështje që shqyrtohet në Pekin nga autoritetet kineze,” u tha Stoltenberg gazetarëve në Bruksel, pa dhënë hollësi të mëtejshme.

Siç ka njoftuar The Guardian, Stoltenberg ka thënë se Kina nuk duhet ta ndihmojë Rusinë në armatim.

“Kina nuk duhet t’i japë ndihmë vdekjeprurëse Rusisë, kjo do të ishte të mbështeste një luftë të paligjshme”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga presidenti kinez, Xi Jinping që të shtyjë Vladimir Putinin që t’i ndalë krimet e luftës në Ukrainë.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby i bëri thirrje Xi që t’i kërkojë homologut të tij rus të tërheqë trupat nga Ukraina.

“Ne shpresojmë se Presidenti Xi do ta shtyjë Presidentin Putin të ndërpresë bombardimin e qyteteve, spitaleve dhe shkollave ukrainase, për të ndalur krimet e luftës dhe mizoritë dhe për të tërhequr trupat e tij nga Ukrainë”, tha Kirby.

Kirby tha se kërkimi i një armëpushimi nuk do të ishte i mjaftueshëm.

Kujtojmë se Xi dhe Putin kanë organizuar bisedime jozyrtare në Moskë e që zgjatën katër orë, kurse një takim tjetër pritet të jetë ditën e sotme e që cilësohet me bisedime më zyrtare.

Ka shqetësime se mbështetja e Kinës për Rusinë – aktualisht e bazuar në teknologji dhe tregti – mund të bëhet ushtarake, duke përfshirë potencialisht predha artilerie.

Putin ka thënë se do të diskutojë një plan prej 12 pikash propozuar nga Xi për të “zgjidhur krizën akute në Ukrainë”.

“Ne jemi gjithmonë të hapur për një proces negociatash” tha Putin, ndërsa udhëheqësit e quajtën njëri-tjetrin “mik i dashur”.

Vizita e Xi në Moskë vjen disa ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) lëshoi një urdhër arresti për presidentin rus lidhur me akuzat për krime lufte.

/Shqip.com