Lajme

NATO e prerë: Shtensionojeni menjëherë situatën në Veri

NATO
NATO

Aleanca e NATO-s i ka bërë thirrje Kosovës që të qetësojë situatën në veri të vendit, një ditë pas tensioneve që u krijuan atje.

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, përmes një postimi në Twitter tha se të gjitha palët duhet t’i zgjidhin çështjet përmes dialogut, derisa theksoi se KFOR-i mbetet vigjilent në këtë rajon.

“Ne u bëjmë thirrje institucioneve në Kosovë të shtensionojnë menjëherë situatën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të zgjidhin situatën përmes dialogut. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të jetë vigjilent dhe të ofrojë mjedis të sigurt”, shkroi Lungescu.

Ndryshe, Kryetarët e komunave të veriut të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, kanë arritur të futen dje në zyrat e tyre, me asistim të Policisë. Grupe të banorëve vendas në këto komuna të banuara me shumicë serbe, kundërshtuan shkuarjen e tyre në zyrat që më parë përdoreshin nga zyrtarët serbë.

Policia hodhi gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë protestuesit, të cilët hodhën gurë në drejtim të policisë dhe dogjën disa makina.

Ndaj këtyre zhvillimeve kanë reaguar menjëherë ndërkombëtarët. I pari që reagoi ishte Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Hovenier dënoi veprimet e autoriteteve të shtetit të Kosovës për t’i futur kryetarët e rinj në objektet e komunave.

/Shqip.com