Lajme

Nagavci: Përmes koeficientit të ri, mësimdhënësve do u rriten pagat për 22%

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se mësimdhënësve në Kosovë me koeficientin e ri, do u rriten pagat për 22%.

Duke shkruar në Facebook, ajo është shprehur se pagat do të jenë të dinjitetshme për të gjithë sektorin e arsimit.

“Barazi dhe ndershmëri për pagat në mes të kategorive. Pagë bazë të dinjitetshme për mësimdhënësit tanë!  Ligji për paga promovon punën e mësimdhënësve. Rritja prej 22% e më shumë nga paga aktuale, dëshmon për përkushtimin tonë ndaj mësimdhënësve dhe përmirësimin e cilësisë në arsim”, ka thënë ajo në Facebook.

Sipas saj, janë trajtuar kërkesat e punëtorëve të këtij sektori, me koeficientin e ri.

“Të vëmendshëm për të trajtuar drejtë kategoritë e personelit arsimor dhe nëpunësve tjerë publik, për herë të parë, mes plot tjerash, personeli arsimor i edukimit të hershëm, pozitat udhëheqëse në shkolla, psikologët dhe pedagogët do të marrin vëmendjen e merituar në koeficient. Askush nuk do të dëmtohet, të gjithë do të përfitojnë”, ka theksuar Nagavci.

Nagavci po ashtu ka thënë se do të ketë shtesa tjera për mësimdhënësit, përpos pagës bazë. 

Paga bazë është vetëm fillimi. Ligji promovon shtesat për mësimdhënës në bazë të performancës/licencimit. Ky është synimi jonë, nxitje të vazhdueshme monetare dhe jo monetare për performancë më të mirë të mësimdhënësve tanë. Rritja në paga duhet të jetë shpërblyese për mësimdhënësit e mirë dhe nxitje për mësimdhënie cilësore”, ka shkruar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

/Shqip.com