Lajme

Nagavci bën thirrje të respektohet vendimi për zëvendësimin e orëve të humbura

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavcie

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci ka bërë thirrje edhe njëherë që të respektohet vendimi i MASHT për zëvendësimin e orëve të humbura.

Ajo është shprehur se kushtet për zëvendësimin e orëve janë të mira duke marrë parasysh motin e mirë.

“Është kalendari që duhet të respektohet, është interesi më i mirë i fëmijëve. Humbjet kanë qenë të shumta kështu që orët duhet të zëvendësohen. Jemi në përparësi sepse edhe moti është i mirë kohëzgjatja e pushimit për fëmijët ka qenë tepër i madh kështu që nuk është që kemi fëmijët që janë të stërngarkuar apo të lodhur, e për më tepër janë dy të shtuna në muaj për të cilat është planifikuar zëvendësimi dhe ato vetëm në gjysëmvjetorin e parë”.

Nagavci u shpreh se inspektorët kanë përcjell situatën e zëvendësimit të orëve dhe se ka pasur dallime në pjesëmarrje nga shkolla në shkollë e po ashtu edhe nga komuna në komunë.

Zëvendësimi i orëve ishte kundërshtuar nga ana e SBASHK-ut. Sipas tyre kjo duhej të bëhej me marrëveshje midis SBASHK dhe MASHT.

Më 7 tetor, kryetarët e komunave patën kërkuar që orët e mësimit të zëvendësohen çdo ditë duke shtuar orë në fund të ndërrimit. Arsye ishin përmendur se mësimi gjatë pushimeve ngarkon familjet, shton shpenzimet për ngrohje të shkollave e do të kishte telashe me transport publik.

/Shqip.com