Sport Shqiptar

Myrto Uzuni synon gol dhe fitore ndaj Polonisë

FOTO: Federata Shqiptare e Futbollit
FOTO: Federata Shqiptare e Futbollit

Sulmuesi Myrto Uzuni është i vendosur të shënojë gol dhe ta ndihmojë Shqipërinë për ta nisur ciklin kualifikues për Euro 2024 me fitore.

Ndeshjen e parë kualifikuese në kuadër të Grupit E do të përballet me Poloninë. Kjo ndeshje luhet më 27 mars në Varshavë, ndërsa Shqipëria prej fillimit të kësaj jave po i vazhdon përgatitjet nën drejtimin e trajnerit të ri, brazilianit Sylvinho.

Prej ditës së martë, Shqipëria po punon me dy stërvitje në ditë, në mënyrë që të jetë maksimalisht e përgatitur për ndeshjen e parë zyrtare të këtij viti.

Të mërkurën, në konferencën për shtyp, u paraqit sulmuesi Uzuni, i cili me fanellën e Shqipërisë ka realizuar 20 gola deri më tani. Ai tha se atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë dhe të gjithë janë motivuar për fitore ndaj Polonisë, që vlerësohet si favorite e këtij grupi.

“Sikur në secilën ndeshje, edhe në këtë ndaj Polonisë do të futem në fushë për të shënuar gol, pasi dua ta ndihmoj ekipin që të ketë nismë të mbarë të kualifikimeve. Do të kërkoj përgjegjësi më të mëdha në këtë ndeshje, pasi kemi mundësinë të fitojmë bazuar në kualitetin që e posedojmë si ekip”, është shprehur Uzuni.

Uzuni tha se ndaj Polonisë, pret që Shqipëria të luajë lojë më sulmuese, e cila do t’i përshtatej shumë sikurse te Granada, ekip për të cilin ka shënuar 20 gola në 29 ndeshje të luajtura në kategorinë e dytë të Spanjës.

“Trajneri Sylvinho i ka idetë e qarta për këtë ndeshje, pasi kërkon një lojë më shumë sulmuese sesa defensive. E me lojë sulmuese do të dalin në pah edhe vlerat e mia më së miri sikurse te skuadra e Granadas”, shtoi Uzuni. “Mendoj se përgjegjësia na takon ne sulmuesve, por edhe ne ekipit, si mesfusha mesfusha dhe mbrojtja që duhet të sjellin topin te sulmi dhe ne duhet të finalizojmë”, tha Uzuni në konferencën për media.

Përkrah Uzunit në konferencën për shtyp është paraqitur edhe mesfushori Anis Mehmeti që është ftuar për herë të parë te Shqipëria, ndërsa luan në Championshipin e Anglisë me skuadrën e Bristol Cityt. Sikurse Uzuni edhe Mehmeti 22-vjeçar është shprehur optimist para duelit me Poloninë. Megjithatë, Mehmeti ka pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë në Varshavë, duke pasur parasysh se Polonia në radhët e veta ka lojtarë tejet cilësor, përfshirë këtu kapitenin Robert Lewandowski.

“Shkojmë në Poloni me qëllimin për të fituar. Kemi skuadër shumë të fortë dhe besoj se mund të marrim pikët e plota. E kemi parasysh se Polonia është ekip i fortë, por ne jemi të përqendruar në lojën dhe synimin tonë”, është shprehur Mehmeti, i cili ka pranuar se është i nderuar që do ta bartë fanellën e Shqipërisë. “Është ëndërr për mua dhe për familjen që të luaj për Shqipërinë dhe të vesh fanellën kuqezi. Jam gati të luaj nga minuta e parë në Poloni dhe ta ndihmoj ekipin drejt arritjes së objektivit”.

/Shqip.com