Lajme

Musliu: Qeveria i neglizhoi komunat e prekura nga vërshimet

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës , Ganimete Musliu, ka thënë se është e indinjuar nga neglizhenca e nivelit qendror ndaj komunave të prekura nga vërshimet e me theks të veçantë në atë të Skenderajt

Në një intervistë për EO, Musliu tha se nga kjo gjendje ekziston rreziku i shpërthimit të epidemive.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Musliu ka thënë se ka fshatra që janë tërësisht të shkatërruara. 

“Jam tmerrësisht e indinjuar me neglizhencën që i kanë bërë niveli qendror këtyre krizave, me thekës të veçantë Skenderajt si komunë. Është  e dhimbshme kur kam shkuar në ditën e dytë pasi pushuan reshjet kur fshatra të tërë ishin mbuluar nga balta dhe unë nuk kam parë as një ekip as të FSK-së, as të Kryqit të Kuq, as të ndonjë shtabi emergjent të nivelit qendror dhe jam brengos jashtëzakonisht shumë sepse aty në çdo moment mund të ndizet ndonjë epidemi e cila do të jetë shumë e dëmshme për ata qytetarë”, tha Musliu.

Musliu tha se në Skenderaj nuk mbahet mend shkatërrim më i madh që nga lufta.

“Unë fillimisht dua që t’i falënderoj ekipet vullnetare që i kanë dalë në ndihmë qytetit të Skenderajt dhe fshatrave, po edhe të Mitrovicës dhe zonave të prekura nga reshjet e shiut dhe dua t’i përgëzoj udhëheqjet komunale për punën angazhimin dhe aktivizimin që e kanë bërë gjatë këtyre ditëve të vërshimeve. Ndërsa fatkeqësisht institucionet shtetërore i kanë braktisur komunat e vërshuara, komunat të cilat kanë dëme milionëshe. Faleminderit Zotit që nuk kemi dëme në njerëz, përndryshe dëmet materiale janë jashtëzakonisht të mëdha. Në Skenderaj nuk mbahet mend shkatërrim më i madh që nga lufta e fundit në Kosovë”.

Tutje, Musliu tha se atje gjithçka është jashtë normales duke cilësuar fshatra të shkatërruara të cilëve iu duhet ndihmë dhe përkrahje.

Kujtojmë se zona e Dukagjinit, Klina Skenderaj dhe Mitrovica ishin zonat më të prekura nga vërshimet. Shumë fshatra janë dëmtuar nga këto vërshime, madje shumë shtëpi edhe janë shkatërruar.

Krahas kësaj, Komuna e Skenderajt së fundi ka zyrtarizuar një fond emergjent për vërshimet në mënyrë që të iu dilet në ndihmë banorëve atje.

/Shqip.com