Lajme

Musliu: Duhet të anulohet seanca e 17 shkurtit ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka thënë se seanca e përcaktuar për datën 17 shkurt për ish-krerët e UÇK-së duhet të ndalohet.

Përmes një postimi në Facebook, Musliu ka thënë se Gjykata Speciale ka fyer në dinjitet.

“Në ditën e Pavarësisë, Gjykata speciale na fyen në dinjitet. Dhe kjo nuk është hera e parë. Gjykata Speciale në Hagë ka caktuar seancë e cila do të mbahet me datë 17 shkurt 2023. Nëse kjo gjykatë është Gjykatë e Kosovës, nëse ende thirret në autoritetin e marrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, atëherë duhet urgjentisht të anulohet mbajtja e kësaj seance e cila është përtej çdo ofendimi”, shkroi Musliu.

Lidhur me këtë, Musliu ka edhe një kërkesë për akterët politik dhe Qeverinë e Kosovës.

I bëj thirrje qeverisë, Kuvendit dhe të gjithë akterëve politik, mediatik dhe atyre nga shoqëria civile që të reagojnë dhe ti thonë: Stop ofendimeve! Stop shkeljes së të drejtave dhe dinjitetit të ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Stop shkeljes së dinjitetit të popullit shqiptar”.

Lidhur me këtë edhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paralajmërojnë protestë me 17 shkurt.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se kjo seancë do të mbahet në ditë feste.

Lexo edhe:
Seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së, veteranët paralajmërojnë protestë

“Seanca në ditë feste, por as për ne nuk do të ketë festë, e me siguri që protestë”, shkroi Klinaku.

Kujtojmë se gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit pritet që të fillojë me datën 1 mars nëse nuk ka rrethana përjashtimore.

Por, konferenca përgatitore e Zyrës së Prokurorit Special për këtë gjykim do të mbahet me 17 shkurt.

Lexo edhe:

Caktohet data për fillimin e gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Në këtë aktakuzë, thuhet se përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.

Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Tutje, aktakuza thotë se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, e dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e akuzuara në këtë aktakuzë ishin gati të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe nuk kishin marrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për parandalimin e krimeve të tilla ose të ndëshkojnë autorët e saj.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci. Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit të përbashkët.

/Shqip.com