Lajme

Mushkolaj: Draft-statusi sipas modelit të FES-it nuk është Asociacion i Komunave Serbe

Fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) në bashkëpunim me Europian Institute for Peace (EIP), kanë prezantuar sot draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Në këtë draft thuhet se Asociacioni do të themelohet në përputhje me sistemin ligjor të Kosovës dhe në përputhje me Kushtetutën e saj.

Po ashtu, theksohet se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të ketë simbolet e veta zyrtare.

Në këtë draft potencohet se ndryshimet brenda Asociacionit, duke përfshirë anëtarësimet, largimet apo shpërbërjen e tij, përcaktohen brenda statutit të tij.

Lexo edhe:
Publikohet draft-statuti për Asociacionin

Lidhur më këtë draft-status ka ardhur reagimi edhe nga Gjyljeta Mushkolaj.

Ajo ka thënë se Asociacioni sipas modelit të FES-it nuk është Asociacion i Komunave me shumicë serbe.

“Sa i përket draftit që sot është publikuar, unë e theksova edhe më herët se është një model, e kam një pjesë ku realisht i kam përmbledhë në mënyrë të shkurtër disa të dhëna nga një studim shumë më i gjerë i ngjashëm. Unë kam marrë pjesë me komente nga versioni i parë deri në këtë versionin përfundimtar të këtij modeli të draftit. Ky është një model që mund të shërbejë si një model për ta hartuar një projekt të statutit të komunave, ku serbët përbëjnë shumicën e popullatës. Assesi ky Asociacion sipas këtij modeli të draftit, nuk është asociacion i komunave serbe, sepse komunat janë pushtete lokale dhe pushtetet lokale nuk kanë racë, nuk kanë etnitet, janë persona juridik publik si të tillë”, tha Mushkolaj në KTV.

Gjatë ditës së nesërme, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pritet të organizojë një diskutim me përfaqësues të partive politike, OJQ, Kuvendi i Kosovës, Presidenca e shumë akterë tjerë lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Lexo edhe:
Ky është përfaqësuesi i Qeverisë në takimin e ftuar nga Ambasada

Shefi i Stafit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Luan Dalipi do të përfaqësojë Qeverinë në takimin e thirrur nga Ambasada e Amerikës në Prishtinë lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Këtë për Shqip.com e ka konfirmuar Përparim Kryeziu- zëdhënës në Qeverinë e Kosovës.

“Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, i cili do të marrë pjesë nesër në takimin e ftuar”, ka thënë Kryeziu.

Lexo edhe:
Kuvendi i Kosovës dërgon një përfaqësues në takimin e nesërm të Ambasadës së Amerikës

Pjesëmarrjen për takimin e nesërm e kanë konfirmuar nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Po ashtu pjesëmarrjen në takimin e nesërm e kanë konfirmuar për Shqip.com edhe nga zyra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

/Shqip.com