Ekonomi

Murati: Vendimin për rritjen e faturave të tatimit në pronë e ka marrë ish-Qeveria Mustafa

Ministri i Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se vendimi për rritjen e faturave të Tatimit në Pronë, padrejtësisht po tentohet t’i mëveshët Qeverisë. Sipas tij, ky vendim është marrë në Qeverinë Mustafa, por që ky hyrë në fuqi në kohën kur me ekzekutivin udhëhiqte Ramush Haradinaj, raporton Ekonomia Online.

Murati ka shpjeguar të premten në një konferencë për media se pjesa më e madhe e rritjes së faturave të tatimit në pronë krijohet nga tatimi i tokave.

Murati ka thënë se sipas nenit 7 të Ligji për Tatimin në Pronë i cili ka hyrë në fuqi më 26 janar të vitit 2018, në vitin e pestë të zbatimit të ligjit, hyn në fuqi tatimi 100 për qind i tokave.

Viti i pestë sipas Muratit i binte të ishte pikërisht viti 2023, që sipas tij, ka hyrë edhe automatikisht në fuqi ky vendim.

Lexo edhe:
ATK: Obligimet tatimore mund t’i kryeni edhe me këste

“Këtu duhet të kthehemi tek ligji që ka qenë në vitin 2018 për Tatimin në pronë. Ky ligj ishte miratuar nga Qeveria Mustafa, më 4 maj 2017 kur ministër i Financave ka qenë Hoti. Ky ligj nuk arriti të miratohej në Kuvend dhe të hyjë në fuqi sepse Qeveria kishte rënë, një javë më vonë. I njëjti ligj është proceduar në qeverinë Haradinaj dhe më 26 janar 2018 është publikuar në gazetën zyrtare dhe ka hyrë në fuqi”.

“Ky ligj i ka caktuar disa afate dhe disa kushte që i obligojnë institucionet të respektohen. Ky ligj sipas neni 7 ka paraparë që në vitin e 5-të të zbatimit të ligjit të hyjë në fuqi tatimi 100 për qind i tokave. Prej hyrjes në fuqi kanë filluar të tatimohen edhe tokat sepse njëherë kanë qenë vetëm ndërtesat. Viti 2023 është kur tatimi në toka aplikohet në vlerën 100 për qind, domethënë këtë e obligon ligji. Ky ligj e ka përcaktuar qysh në vitin 2018 se tokat duhet të tatimohen dhe pjesa më e madhe e rritjes së faturave shkon nga ky tatim”, ka shpjeguar Murati.

Tutje, ai ka thënë se “çështja e tatimit në pronë është e rregulluar me Ligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme i miratuar në vitin 2018, i cili obligon MFPT-në që të bëjë vlerësimin e pronave të paluajtshme. I njëjti, parasheh që në vitin e 5-të tatimor (viti 2023) të mos ketë zbritje të përgjithshme për tatimin e pronave, në dallim nga viti i kaluar ku është zbatuar zbritja e përgjithshme prej 20%. Pra, këtë vit për herë të parë është bërë faturimi i plotë i tatimit në tokë”.

Departamenti i Tatimit në Pronë, në kuadër të MFPT, ka përfunduar vlerësimin e pronave më datë 31.10.2022, ku po në të njëjtën datë raportet e vlerësimit i’u janë përcjellur Komunave. Komunat kanë pasur afat 1 muaj për të parashtruar kërkesë për rishqyrtim të vlerave, por që vetëm 3 komuna e kanë kërkuar një gjë të tillë dhe kërkesat e tyre janë adresuar duke bërë përmirësimet e kërkuara.

Ministri Murati gjithashtu theksoi se MFPT është aktualisht në proces të hartimit të ligjit të ri për tatimin e pronave, i cili synon adresimin e vështirësive dhe probleme të shfaqura në procesin e tatimit të pronave. Përkatësisht, ligji i ri parasheh lirimin nga tatimi për pronën primare, si dhe fleksibilitet më të lartë në përcaktimin e normave tatimore nga komunat.

Duke konsideruar situatën aktuale dhe vështirësitë që vlera e shtuar e faturave mund të ketë në mirëqenien e qytetarëve, Ministri Murati shprehu gatishmërinë që në ligjin e ri të përfshihet një dispozitë kalimtare që parasheh lirimin nga një pjesë e barrës tatimore për faturat tatimore të këtij viti.

Mirëpo, “meqenëse të hyrat nga tatimi në pronë janë ekskluzivisht të hyra të komanave, do të për të në duhet konfirmimi i komunave për të ndërmarrë një hap të tillë”, u shpreh Murati.

/Shqip.com