Lajme

Murati: Pagesat nga buxheti i shtetit për periudhën e parë 6-mujore të vitit 2022 janë 1 miliardë e 38 milionë euro, më e larta ndonjëherë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka thënë se pagesat nga buxheti i shtetit për gjashtë muajt e parë janë 1 miliardë e 38 milionë euro.

Sipas tij, kjo është më e larta ndonjëherë.

“Pagesat nga buxheti i shtetit për periudhën e parë 6-mujore të vitit 2022 janë 1 miliardë e 38 milionë euro, më e larta ndonjëherë. Me taksat që mbledh dhe rishpërndan, shteti është një kontribues i rëndësishëm në ekonominë e vendit. Pagesat që shteti bën, qoftë në formë të pagave, pensioneve, mallrave që blen, apo edhe investimeve kapitale, që të gjitha kontribuojnë në ekonominë e vendit”, ka shkruar Murati.

Ai ka thënë se ditëve të fundit disa media dhe opozita ka bërë një fushtë agresive kundër Qeverisë.

“Ditëve të fundit, nga opozita por edhe nga disa media, kemi parë një fushatë agresive e cila pretendon se qeveria ka bllokuar ekonominë, sepse nuk po shpenzon. Mirëpo, të dhënat, nga po ai raport të cilit i referohet opozita, tregojnë të kundërtën”, ka thënë Murati.

Sipas Muratit po ashtu, për opozitën as rritja e subvencioneve për bujqit nuk është mbështetje e ekonomisë.

“Për opozitën as rritja e subvencioneve për bujqit nuk është mbështetje e ekonomisë, sepse po të pyetej opozita, më mirë është të ipen 12 milionë euro për një tender të vetëm për konsulencë, sesa të mbështeten bujqit për sigurimin e bukës së vendit”, ka thënë Murati.

Por kjo gjë tashmë është përcaktuar me 14 shkurt 2021. Qytetarët kanë zgjedhur modelin zhvillimor që kemi premtuar ne, dhe atë po e realizojmë, ka shtuar më tutje Murati./Shqip.com