Muhaxheri: Aksioni i Prokurorisë ndaj zyrtarëve komunalë në Pejë – spektakël politik

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetar i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri deklaroi të enjten se aksioni i Prokurorisë Themelore ndaj zyrtarëve komunalë në Pejë ka qenë “spektakël politik”.
Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak të presionit politik, teksa ka thënë se zyrtarët policorë janë futur me automatik brenda objektit të komunës.
Ai tutje ka thënë se po kërcënohen edhe zyrtarët komunalë tjerë.
“Kemi me ju arrestu edhe më shumë, po ju thuhet”, është shprehur Muhaxheri në T7.
Ndërkohë Muhaxheri thotë se këso aksione nuk kishte në Prizren, sikur në komunat e tjera të Dukagjinit, “përkundër se edhe atje kishte denoncime”.
Ai beson se kjo ka ndodhur për shkak se në këtë komunë kryeson një kryetar që i takon Lëvizjes Vetëvendosje.
“Kanë thënë e çkapim shtetin, e kanë kapë për vete”, ka thënë për VV-në Muhaxheri.
Ndryshe, më 15 korrik Prokuroria Themelore e Pejës ka kryer bastisje në tri komuna (Pejë, Klinë dhe Istog) ku ka arrestuar disa zyrtarë të dyshuar për “keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”./SHQIP.com