Lajme

MSH merr masa për personat që nuk paraqiten për dozën e dytë të vaksinës antiCOVID-19

Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi për media ka bërë thirrje që qytetarët të vaksionohen e në veçanti ata që nuk kanë shkuar për ta marrë edhe dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19.

Nga kjo ministri thonë se nëse qytetarët nuk e kanë marrë dozën e dytë të vaksinës brenda periudhës katër javore, certifikata e tyre me vetëm njërën dozë nuk do të merret si dëshmi, përcjell Shqip.com.

“Duke qenë se një numër i qytetarëve pas marrjes së dozës së parë të vaksinës, nuk shkojnë për të marrë dozën e dytë në periudhën brenda katër javësh (28 ditë pas marrjes së dozës së parë), Ministria e Shëndetësisë, rikujton se certifikata  e tyre do të përdoret si dëshmi vetëm nëse ajo është jo më e vjetër se 4 javë apo nëse testi RT-PCR është kryer, në 48 orët e fundit krahas marrjes së një doze”, thuhet në njoftim.

Ilustrim

Më tej, MSH u rikujton qytetarëve se në kuadër të masave të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e  pandemisë COVID-19, të marra nga Qeveria e Kosovës me datë 30 nëntor 2021, është vendosur që nga data 6 dhjetor 2021, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19.

“Në rast se nuk është i vaksinuar me dy dozat, qytetari duhet të posedojë Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë, jo më e vjetër se katër  (4) javë, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë; apo Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë)”, thuhet në njoftim./Shqip.com