Motra e ish-zyrtarit të Doganës e ndal Kurtin e ministrat në shesh, kërkon sqarim për vrasjen e vëllait të saj

Motra e ish-zyrtarit të Doganës së Kosovës, Luan Berisha, i cili u gjet i vdekur në oborr të Doganës në prill të këtij viti, është ballafaquar me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat e tjerë, derisa po ecnin në sheshin e Prishtinës në përkrahje të kandidatit të tyre për kryeqytetin, Arben Vitia, njofton Shqip.com.
Ajo ka kërkuar zbardhjen e rastit të vllaut të saj, të cilën e quan vrasje, duke u ankuar se kanë kaluar gjashtë muaj që nga ky rast, por nuk ka marrë asnjëherë përgjigje nga Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, megjithëse i ka dërguar pyetje disa herë.
Para kryeministrit Albin Kurti, ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, ajo ka kërkuar të dijë nëse po punohet për zbardhjen e këtij rasti.
“Po ju pyes juve dhe zotri Sveçlën, vëllai im Luan Berisha zyrtar i lartë në Doganë u vra në oborr të Doganës më 17 prill dhe nuk e kemi asnjë përgjigje deri tash. Kemi kërkuar takim, na keni injoruar dhe nuk kemi asgjë deri tash, dhe desha të ju pyes, a jeni duke e luftuar krimin siç na keni premtuar apo jo”, thotë ajo, raporton EO.
Përgjigje mori nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
“Jemi duke e luftuar dhe organet e rendit janë duke u marrë me gjitha këto”, përgjigjet Murati, por jo edhe Kurti e Sveçla.
Por ajo insiston se përgjigje nuk kanë marrë asnjëherë për këtë rast.
“Asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje. Ju kemi votuar për me luftu krimin, vëllau im u vra më 17 prill në oborr të doganës dhe nuk kemi përgjigje që gjashtë muaj e gjysmë dhe na keni injoruar totalisht”, u shpreh ajo.
Luan Berisha vdiq në rrethana ende të pasqaruara në oborrin e Doganës së Kosovës në Prishtinë.
Në njoftimin e Sindikatës së Pavarur e Doganës së Kosovës, me rastin e vdekjes së tij thuhej se Berisha la pas vetes një bagazh të madh profesional dhe një kujtim shumë të veçantë për secilin kolegë. /Shqip.com