Lajme

Miratohen rekomandimet e Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim me BE-në

Ka vazhduar sot në Kuvendin e Kosovës Takimi i Nëntë i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE – Kosovë, me sesionin e dytë të punës. Me pjesëmarrje të deputetëve të të dyja parlamenteve, ta pranishmëve u uroi mirëseardhje bashkëkryesuesi Romeo Franz, duke hapur njëherësh punimet e këtij sesioni.

Dialogu i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe bashkëpunimi rajonal, ishte tema e parë e trajtuar, duke filluar me fjalimin e deputetit të Parlamentit Evropian, Lukas Mandl.

Duke e konsideruar domethënës fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, si vendi më i ri demokratik në Evropë, Mandl theksoi se dialogu midis Serbisë dhe Kosovës nuk duhet të shihet si dialog mes Prishtinës dhe Beogradit, por midis dy shteteve, i lehtësuar nga BE-ja, në mënyrë që të ketë dialog konstruktiv i cili trason rrugë e njohjes reciproke.

Përmes shmangies së gjuhës së urrejtjes, nacionalizmave dhe analogjive tjera që pengojnë procesin e dialogut, Mandl theksoi se nën kujdesin e BE-së dialogu duhet të trajtohet me qasje pozitive, në mënyrë që sa më parë të arrihet stabilizimi.

Duke folur për liberalizimin e vizave, Mandl e konsideroi atë proces shumë të vonuar, duke shtuar se një vetëm një pakicë brenda Parlamentit Evropian e bllokon procesin, përkundër faktit që Komisioni Evropian ka treguar që Kosova i përmbushur kriteret për liberalizim të vizave.

Kurse deputeti i VV-së, Armend Muja, tha se perspektiva e palëkundur e integrimit evropian duhet të jetë qëllim i përbashkët i Ballkanit Perëndimor, por edhe i Bashkimit Evropian, i cili arrihet me përkushtim të vazhdueshëm në këtë proces.

Sipas tij Kosova pa asnjë mëdyshje është rreshtuar krah BE-së dhe SHBA-ve, në dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, gjë që shteti serb ka hezituar ta bëjë. Kjo, sipas tij, paraqet shqetësim jo vetëm për Kosovën, por edhe për Evropën në përgjithësi.

Rrezarta Krasniqi deputete nga radhët e LDK-së, që ishte pjesë e takimit theksoi se qëllimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është tejkalimi i pengesave mes të dyja vendeve, në mënyrë që të ketë marrëveshje finale të shumëpritur.

Sipas saj procesi i dialogut duhet të mbështetet në tri parime kryesore, të cilat lidhen me: njohjen reciproke, ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe mos cenimit të karakterit unitar e rendit kushtetues të shtetit.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri tha se tema e dialogut në shumë raste është kamufluar me tema teknike, gjë që, sipas tij, ka rezultuar me mos prodhim të benifiteve për qytetarët e Kosovës, e që rrjedhimisht e mbajnë Kosovën si të vetmin shtet pa liberalizim të vizave.

Pas diskutimeve, me shumicë votash u miratua teksti final i rekomandimeve të dala nga Takimi i Nëntë i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë.

Në përmbyllje të sesionit të dytë të Komisionit të 9-të Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, të pranishmit u dakorduan që takimi i radhës të zhvillohet më 15 dhe 16 mars të vitit të ardhshëm, në Strasburg të Francës.

/Shqip.com