Lajme

Ministrja Nagavci për pezullim të grevës: Do të vazhdojmë takimet në komuna e shkolla për të dëgjuar e adresuar secilën brengë

Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka mirëpritur deklarimin e mësimdhënësve që nga e hëna të fillojë procesi mësimor.

Ajo në një postim në Facebook ka kërkuar që shkollat që akoma nuk kanë shpërndarë tekstet mësimore për nxënësit, që këtë ta bëjnë të hënën në orën e parë të mësimit.

“Drejtoritë Komunale të Arsimit duhet të marrin të gjitha masat që të hënën gjithçka të jetë gati për të filluar mësimin në shkolla e punën në çerdhe, pa asnjë pengesë. Ftojmë prindërit, mësuesit e udhëheqësit e shkollave për bashkëpunim të shtuar. Duhet të jemi unik në kryerjen e misionit fisnik për edukimin e arsimimin e fëmijëve tanë.

Kalendari i Vitit Shkollor duhet të ndryshohet, andaj menjëherë të hënën, dt.3 tetor, do të formojmë grupin punues për të rishikuar këtë Udhëzim Administrativ. Do të vazhdojmë punën me intensitet të shtuar në përmirësimin e legjislacionit për licencimin e mësimdhënësve, vlerësimin e performancës  dhe realizimin e shtesës së performances”, ka shkruar ajo.

Tutje, ajo ka thënë se do të vazhdojnë “vizitat e takimet në komuna e shkolla për të dëgjuar e adresuar secilën brengë e ide të nxënësve, mësuesve, prindërve e udhëheqësve të shkollave”.

“Një muaj i humbur i mësimit është një dëm i madh, andaj dhe puna e angazhimi i të gjithë neve për të përmirësuar këto humbje, duhet të jetë edhe më i madh.

Si Qeveri e Ministri e Arsimit do të vazhdojmë të kemi në vëmendje përmirësimin e kushteve të punës në çerdhe e shkolla, ofrimin e mundësive të barabarta për nxënësit e studentët.

Po ashtu, mbështetjen e punëtorëve të arsimit drejt përmirësimit të mësimdhënies së tyre, bashkëpunimin me komunitetet e institucioneve edukativo arsimore, prindërit e nxënësit dhe angazhimin e përbashkët për përmirësimin e rezultateve në arsim, për shkolla të sigurta e ambiente miqësore”.

Tutje ajo ka kërkuar nga mësimdhënësit që të japin komentet e tyre për Projektligjin për paga.

“Në Projekligjin e ri për Paga punëtorët e arsimit për herë të parë janë trajtuar dinjitetshëm dhe do të kenë koeficientin më të lartë se që e kanë pasur ndonjëherë.

Me këtë rast, ftoj të gjithë mësimdhënësit që të japin kontributin e tyre me komente e sugjerime, që të kemi një Projektligj sa më të mirë për pagat.

Ashtu siç kam vepruar që nga dita e parë e detyrës, jam e hapur për dialog social, angazhim të përbashkët në përmirësim të kushteve të punës, rezultateve në arsim si dhe avancim të pozitës së mësimdhënësve.

Mirëpresim dialogun social e bashkëpunimin e sinqertë, ashtu si urojmë që për të gjithë interesi më i mirë i fëmijëve të jetë në rradhë të pare”.

Ndryshe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit kanë bërë të ditur se greva do të jetë e pezulluar deri në janar të vitit 2023./SHQIP.com