Lajme

Ministrja Haxhiu flet për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se zhdukja e mostrave të ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari nga laboratori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, kishte për qëllim dëmtimin e Qeverisë në raport me këtë rast.

Ajo tha se çështja tashmë është duke u hetuar nga Policia dhe Prokuroria e sipas saj, kushdo që e ka bërë këtë, ka bërë vepër penale.

Kjo çështje është duke u hetuar nga Policia dhe Prokuroria. Unë kam dhënë dëshminë time për këtë para pak ditëve, unë dhe zëvendësi im, për shkak se ne kemi qenë ata të cilët e kemi raportuar rastin në Prokurori sapo kemi marrë informatat nga zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Është një rast i paprecedent që ka ndodhur më lejoni t’ju njoftoj se është një gjendje e rëndë në Institutin e Mjekësisë Ligjore,  për shkak të raporteve ndërkolegiale, pra të stafit të Mjekësisë Ligjore”, tha Haxhiu.

Sipas saj, në laboratorin ku janë mbajtur mostrat e Deharit, kanë pasur qasje vetëm tre persona dhe nëse rasti trajtohet me seriozitet shume lehtë mund të verifikohet se kush është personi që i ka zhdukur ato.

“Unë mendoj që qëllimi ka qenë përmes këtij rasti të na dëmtojnë edhe neve duke qenë se rasti Dehari është një nga rastet më të ndjeshme që ka pasur vëmendje shumë të gjerë të opinionit publik për t’u kuptuar e vërteta, dhe sigurisht që kërkesa për drejtësi është legjitime. Në vendin ku mbahen mostrat ne nuk kemi qasje aty kanë qasje vetëm tre persona. Tre persona kanë pasur qelsin dhe unë mendoj që nëse trajtohet seriozisht ky rast shumë lehtë mund të verifikohet se kush është personi që ka bërë një veprim të tillë”, tha Haxhiu në Tëvë1.

Pavarësisht që mostrat janë zhdukur, kjo nuk mund të ndikojë në zbardhjen e rastit Dehari, sepse siç tha ajo raportet për ato mostra tashmë janë marrë dhe është vërtetuar se nuk ka pasur medikamente as në gjak e as në urinën e të ndjerit.

/Shqip.com