Ministri Vitia vaksinohet sot
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pritet të marrë sot dozën e parë të vaksinës anti-COVID, njofton Shqip.com.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, pas vaksinimit Vitia do të mbajë konferencë për media, por nuk ka treguar se me cilën lloj vaksine do të imunizohet, me Pfizer apo AstraZeneca.
Ditëve të fundit, në Kosovë është vënë në dispozicion vetëm vaksina AstraZeneca, për çka ka pasur edhe hezitim të qytetarëve që të vaksinohen për shkak të lajmeve e ngjarjeve që e kanë përcjell muajt e fundit.
Rreth 200 mijë vaksina Astra Zeneca i janë dhuruar Kosovës nga Norvegjia dhe derisa kjo sasi të përfundojë, vaksinat Pfizer nuk pritet të jenë në dispozicion për qytetarët sa i përket dozës së parë.
“Aktualisht qendrat e vaksinimit kanë në përdorim për dozën e parë vaksinën Astra Zeneca, ndërsa Pfizer është duke u administruar tek dozat e dyta, për ata që edhe dozën e parë e kanë marrë të kësaj vaksine”, thonë MSh për redaksinë.
“Kosova ka doza të mjaftueshme të vaksinave kundër COVID-19 nga dy llojet në dispozicion dhe ato do të administrohen në mënyrë racionale”. /Shqip.com