Sport Ndërkombëtar

Messi vendos edhe një rekord tjetër

Ylli argjentinas, Lionel Messi në ndeshjen e mbrëmshme, të cilën PSG e zhvilloi në udhëtim te Benfica, vendosi edhe një rekord tjetër, në vargun e shumë rekordeve që i ka arritur më herët.

Skuadra portugeze është e 40-ta që ka pësuar të paktën një gol nga “Pleshti” argjentinas në Champions League.

Askush si shtatë herë fituesi i “Topit të Artë”, që nga debutimi i tij në garën më prestigjioze evropiane për klube, nuk ka arritur t’iu shënojë kaq shumë skuadrave kundërshtare. 35-vjeçari nga Rosario nuk ia ka dalë të shënojë vetëm kundër katër skuadrave: Atletico Madrid, Inter, Rubin Kazan dhe Udinese.

Atletico dhe Inter janë skuadrat ndaj të cilave nuk ka shënuar në kohën më të gjatë, 360 minuta lojë. “Viktima” e preferuar e Messit është Arsenali, ndaj të cilit ka shënuar 9 herë në 537 minuta lojë (6 ndeshje). Pra, “Topçinjtë” i ka ndëshkuar mesatarisht me një gol çdo 59 minuta e 40 sekonda.

Mbetet të shihet nëse e ardhmja do t’ia mundësojë të përmirësojë këtë rekord.

/Shqip.com