Sport Ndërkombëtar

Messi tregon dëshirën që nuk iu plotësua

Lionel Messi e ka dhënë intervistën e parë pas triumfit në Botërorin 2022 për gazetarin argjentinas Andy Kusnetzoff, duke pranuar se ishte një fitore që “mbyll rrethin” e karrierës së tij dhe rrëfeu se do të donte Diego Maradona t’ia kishte dorëzuar trofeun.

“E kisha thënë disa vjet më parë se e dija që Zoti do të ma jepte këtë dhuratë, se ai e kishte rezervuar për mua. Nëse do të kishte një moment që mund të zgjidhja se kur duhet ta fitoja do të ishte ky, siç ndodhi. Fitimi i Kupës së Botës plotëson rrethin e karrierës sime profesionale”, është shprehur ylli argjentinas. Mungonte vetëm diçka, ose më mirë dikush, që të ishte gjithçka e përkryer. “Do të kisha dashur të ma jepte Diego Maradona kupën ose, të paktën, të ishte gjallë që të mund të më shihte. Argjentina sërish kampione bote, ai që e donte shumë kombëtaren”.

Në fund, Messi ka shtuar: “E ndjeva mbështetjen e Diegos nga parajsa. Pashë Kupën dhe ndjeva se po më thoshte ‘eja këtu, më merr’, pashë sa shumë po shkëlqente në atë stadium të mrekullueshëm”.

/Shqip.com