Ekonomi

Merret vendimi, ulet çmimi i energjisë për këto kategori

Faturat e energjisë elektrike.
Faturat e energjisë elektrike.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji, në mbledhjen e tij të tretë (III) për këtë vit, ka aprovuar tarifat me pakicë për konsumatorët fundor që furnizohen në kushte të shërbimit universal.

Rënia e çmimeve në tregjet e energjisë elektrike në Evropë ka ndikuar në kostot me shumicë të energjisë elektrike në Kosovë.

Si rezultat i këtyre ndryshimeve, kostot e furnizimit me energji elektrike nga importi për konsumatorët fundor për vitin 2024 parashihen të jenë më të ulëta në krahasim me vitet e paraprake.

Këto ndryshime kanë ndikuar në uljen e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët fundor si vijon:

  • Ulje e tarifave prej 8% për konsumatorët familjar për bllokun me konsum mbi 800kWh
  • Ulje e tarifave prej 3% për konsumatorët komercial dhe industrial

Bordi i Zyrës se Rregullatorit ka aprovuar edhe tarifat për vitin relevant tarifor 2024 për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS).

Në këtë seancë, Bordi ka shqyrtuar rezultatet e fituara nga vlerësimi i koncentrimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë përmes indeksit HHI (Herfindahl–Hirschman Index) për vitin 2023, i cili tregon qartë se kemi të bëjmë me një përqendrim të lartë në tregun e energjisë elektrike, nga ku shihet mungesa e furnizuesve aktiv.

Bazuar në rezultatet e këtij raporti, Bordi ka vendosur që Obligimi i Shërbimit Universal për dy vitet e ardhshme t’i ngarkohet KESCO-s.

/Shqip.com